U ndesha sot me një panoramë që më tronditi dhe më bëri të ndalem e të mendoj . A jam vërtet në një institucion shtetëror apo në një skenë mode të rastësishme, pa asnjë rregull dhe pa asnjë standard? Në korridoret e një institucioni ku pritet profesionalizëm dhe seriozitet, ajo që më doli përpara ishte një tablo e shkujdesur. Shapka që zvarriteshin me një tingull të lodhur në sheshin e shtruar me pllaka , bluza me rripa të hollë, krahë të zhveshur, dekolte të theksuara, pantallona zharse dhe minifunde të sikletshme edhe për vetë ato që i mbanin veshur dhe për t’i vënë kapakun, burra me bluza polo, që më shumë ngjanin si për piknik sesa për një ditë pune. Dhe jo, nuk ishte ndonjë ambient pushimi. Ishte një zyrë shtetërore. Një institucion ku merret vendim, ku qytetarët vijnë me hallet e tyre, ku trajtohen dokumente zyrtare dhe ku, mbi të gjitha, pritet një minimum dinjiteti profesional. E di, dikush do më thotë se është vapë, dikush tjetër që jemi në verë dhe nuk ka rëndësi si vishemi por çfarë pune bëjmë. Por ky është një justifikim i lodhur. Edhe në ditët më të nxehta, zyrat janë të pajisura me kondicionerë. Edhe në klimën më përvëluese, ka mënyra të pafundme për të qenë i freskët, pa humbur seriozitetin dhe pa shkelur dinjitetin që kërkon një ambient pune. Veshja është pasqyra e parë e profesionalizmit. Është mesazhi i parë që i japim qytetarëve që hyjnë në një institucion shtetëror. Nuk mund të kërkosh respekt, kur vetë e shemb profesionalizmin me mënyrën se si paraqitesh. Nuk mund të flasësh për etikë pune, kur vetë nisesh nga një shpërfillje e plotë ndaj vetes dhe ndaj vendit të punës. Dhe nuk është cështje mentaliteti të vjetër apo paragjykimi ndaj modës. Jam ndër ata njerëz që e vlerësoj stilin, ngjyrat dhe elegancën. Por ka një vijë të qartë ndarëse mes të bukurës dhe të papërshtatshmes. Mes asaj që është e hijshme dhe asaj që është qesharake. Ndaj një thirrje nga zemra. Mjaft më,me këtë mungesë standardi që po kthehet në normë! Mjaft me këtë tolerancë që e bën administratën të duket si një treg i lirë pa rregulla! Çfarë duhet bërë? Afishimi i Kodit të Veshjes në çdo institucion shtetëror, në hyrje, në çdo korridor, në çdo zyrë. Me mënyra të qarta, të thjeshta dhe të kuptueshme për të gjithë. Nuk është cështje e vogël ,është çështje kulture dhe ky nuk është një detaj që mund të lihet në harresë. Mënyra si paraqitemi në punë është pjesë e identitetit tonë profesional dhe institucional. Është kultura jonë e përditshme. Është mënyra se si na sheh qytetari dhe si e vlerëson shërbimin që i ofrojmë. Në fund të ditës, nuk kërkojmë uniforma ushtarake. Nuk kërkojmë as shpenzime të mëdha. Kërkojmë vetëm dinjitet, seriozitet dhe respekt. Sepse TI, NUK JE NË PLAZH! Je në punë. Në shërbim të qytetarit. Në një institucion që meriton të respektohet. Dhe kjo fillon nga mënyra si vishemi.
