Teatri kozmik i 28 shkurtit

Ndaje

Ka mbrëmje që zbresin mbi qytet si zakonisht me drita që ndizen një nga një dhe me hapa që nxitojnë drejt shtëpisë.
Dhe ka mbrëmje të tjera që hapin perden e qiellit si një skenë teatri kozmik, ku aktorët nuk janë njerëz, por planetë. Më 28 shkurt, horizonti perëndimor nuk do të jetë thjesht fundi i ditës por fillimi i një mrekullie të heshtur. Mërkuri do të shfaqet i ndrojtur, Afërdita me dritën e saj të sigurt, Marsi me nuancën e tij të zjarrtë ndërsa Jupiteri dhe Saturni do të qëndrojnë madhështorë, si dy rojtarë të lashtë të hapësirës. Dhe për ata që do të zgjasin dorën drejt dylbive, edhe Urani do të hyjë në këtë koreografi qiellore, i fshehur por i pranishëm. Nuk është një rreshtim i përkryer në thellësinë e universit por një iluzion i bukur nga këndvështrimi ynë tokësor. Por ndoshta bukuria qëndron pikërisht aty, në faktin se universi, për një çast, zgjedh të duket i harmonizuar për sytë tanë.Ky është një kujtim i heshtur se ne jetojmë brenda një sistemi që lëviz me ritëm të përkryer edhe kur ne ndjehemi të çrregullt se mbi zhurmën e përditshme, ekziston një rend më i madh, një vallëzim i lashtë që vazhdon pa u lodhur. Dilni pas perëndimit. Ngrini sytë.
Ndoshta nuk do të shihni vetëm planetët por do të ndjeni përmasën e vërtetë të vendit tuaj në këtë univers të pafund.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit