Të pathyeshmit e pushtetit

Ndaje

Ka ditë kur ulem me një kafe dhe lexoj e dëgjoj ndonjë lajm rutinë nga televizioni apo nga rrjetet sociale. Emra të njohur, të shfaqur sërish në poste të reja. Emra që nuk çudisin më askënd dhe as mua, sepse janë aty , gjithmonë aty, të përjetshëm si pronat e trashëguara brez pas brezi. Janë bërë thuajse pjesë e memories kolektive, si tapetat e vjeteruar te një zyre ku asgjë nuk ndryshon veç orarit të punës. Në një vend ku çdo gjë tjetër lëviz me ritme të çrregullta nga kursi i euros te temperaturat politike ka një gjë që qëndron stoike, drejtuesit e përjetshëm. Ata që duket sikur kanë hyrë një herë në sistem dhe prej asaj dite nuk kanë dalë më. Nuk e kanë parë të nevojshme. Sigurisht as partia nuk e ka parë të nevojshme. Dhe kjo është ajo që unë e quaj riciklim pa rinovim. Një model i vjetër i veshur me fjalë të reja. Tamam si një mobilje antike që lyehet me bojë të freskët për të dhënë përshtypjen e ndryshimit. Por ama nuk është e re. Është thjesht e njëjta gjë e rikthyer. Në ndonjë moment te duket vetja sikur po ndjek një kongres të kohës së komunizmit. Të njëjtat fytyra në çdo podium, në çdo fotografi zyrtare, në çdo ceremoni festive. Ashtu si dikur parrullat “Lavdi PPSH-së” në çdo mur shkolle, ndermarrje, sheshi biles edhe sot kemi sloganë të rinj por me të njëjtat nënshkrime. E pra,keto figura politike janë kthyer në pjesë të inventarit shtetëror. Nëse dikush mendon se drejtimi është përgjegjësi që e dorëzon pas një cikli atëherë nuk jeton në të njëjtin realitet me ta. Shteti, për ta, nuk është mision. Është pronë biles e patundshme dhe me çelësa që nuk dorëzohen. Dhe ndonëse shpesh flitet për rotacion, për meritokraci, për “energjitë e reja”, në praktikë kemi vetëm një qarkullim të brendshëm të të njëjtëve njerëz. Nga një zyrë në tjetrën. Nga një drejtori në tjetrën. Nga një pushtet lokal në një tjetër. Sigurisht ne dukje, lëvizje por ne thelb, qëndrim i përhershëm. Më ironikja është se shumë prej tyre janë te lodhur, te drobitur nga pushteti, vetkenaqesia dhe deliri i pazevendesueshmerise. Por nuk ikin. E perse te ikin? Sepse në këtë model të deformuar, pushteti të strehon bukur, ngrohte dhe te mbron. Të jep mbi te gjitha status. Dhe kur kjo ndodh për vite me radhë, bëhesh i paprekshëm dhe më pas, i domosdoshëm. Ndërkohë, jashtë kësaj skeme, ka qindra njerëz me ide, energji dhe vullnet pavaresisht moshes te rinj apo ajo, që presin një rast të thjeshtë sic priten të kenë mundësinë të kontribuojnë. Por në një sistem të zënë me “të pathyeshmit” vend nuk ka. Jo sepse s’ka nevojë por sepse vendet janë zënë prej kohësh dhe mbahen fort. Pra, a po riciklojmë drejtues? Pergjigjja ime eshte Po dhe pa pushim.
A po riciklojmë mendësi? Aspak , biles jemi në një cikël të mbyllur ku gjithçka lëviz vetëm sipërfaqësisht. Ashtu si një ventilator i vjetër që rrotullohet por nuk freskon asgjë.
Dhe ja ku jemi sot, ne një vend që ka nevojë për ajër të ri por mban dritaret mbyllur nga frika se mos ndryshimi i prish rendin e të përhershmëve.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit