Spila, eleganca që nuk flet por thotë gjithçka

Ndaje

Ka diçka fisnike në një spilë. E vogël, e heshtur por me një prani që ndriçon çdo veshje, çdo ditë, çdo gjendje shpirtërore. Për mua, spila nuk është thjesht një aksesor por një shenjë e stilit të brendshëm, një prekje e butë e elegancës që nuk ka nevojë të bërtasë për t’u vënë re.E dua në çdo formë të saj,me perla të vogla që të kujtojnë dritën e mëngjesit, me nuanca ari që mbajnë ngrohtësinë e kujtimeve apo me kristale të imëta që pasqyrojnë dritën me aq delikatesë.
Në xhaketë, në pallto, në këmishë apo fustan ajo gjithmonë e gjen vendin e vet, si një firmë personale e heshtur, që thotë: “jam këtu, e qetë por me karakter.” Në ditë të veçanta,ditëlindje, Krishtlindje apo Pashkë nuk ka më surpriza që më lodhin me zgjedhje. Ata që më njohin, e dinë tashmë,spila është dhurata ime e zemrës. Një dhuratë që nuk flet për modën por për kujdesin. Për përkushtimin ndaj estetikës së pastër, ndaj asaj elegance që nuk plaket, si një melodi klasike që gjithmonë gjen mënyrën për të mbetur e re. Spila është kujtim, është shije, është identitet. Ajo mbart në vetvete ndjeshmërinë e një detaji që flet për shpirtin dhe jo për pasqyrën. Dhe ndoshta prandaj, çdo herë që e vendos, ndiej se po mbaj me vete një copëz të vetes sime,atë pjesë të qetë, të përmbajtur dhe të ndritshme që më bën të ndiej se eleganca e vërtetë jeton në detaje. E pra,çdo spilë që kam është si një kujtim i vogël i ngjitur mbi rrobë,një kujtim që nuk plaket, që mban dritën e një dite të mirë apo përqafimin e dikujt që më do. Sepse ndoshta, eleganca nuk është luks por mënyra më e butë për të kujtuar se edhe gjërat e vogla mund të kenë shpirt.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit