Sofistët dhe Kritika ndaj Mendimit Njerëzor

Ndaje

Njeriu është masë e të gjitha gjërave thoshte Protagora, një nga sofistët më të njohur të shekullit V para Krishtit. Kjo frazë e thjeshtë por sfiduese përfaqëson themelet e filozofisë sofistike. Njohuria është relative, perceptimi njerëzor është matësi i së vërtetës dhe çdo bindje mund të debatohet. Në këtë kuptim, sofistët e vendosën individin në qendër të mendimit duke sfiduar idetë tradicionale të një rendi objektiv dhe të pakundërshtueshëm. Sofistët u shfaqën në një kohë kur Athina demokratike po lulëzonte. Demokracia e re kërkonte qytetarë të aftë të merrnin pjesë në debate, të mbronin pikëpamjet e tyre në asamble dhe gjykata dhe të ndikonin në vendimmarrje politike. Në këtë mjedis, sofistët nuk ishin filozofë hermetikë por të tërhequr në mendime abstrakte. Ata ishin mësues dhe këshilltarë socialë, shpesh të paguar për dijen që ofronin dhe për këtë arsye, ata quheshin ndryshe “mësues shëtitës” sepse udhëtonin nga qyteti në qytet, i mësonin qytetarët mbi etikën, retorikën, oratorinë dhe aftësitë praktike të jetës publike. Një nga sofistët më të shquar, Protagora, shërbeu si këshilltar i Periklitit, liderit të famshëm të Athinës i cili nuk ofronte thjesht filozofi abstrakte por strategji politike dhe praktike, duke u mësuar qytetarëve dhe elitës politike si të ndikojnë dhe të bashkëpunojnë në mënyrë efektive. Përmes këshillave të tij, qytetarët mësuan të përdorin gjuhën si mjet bindjeje, të mbrojnë vendimet e tyre dhe të veprojnë në një shoqëri ku aftësia për të komunikuar ishte një armë e fuqishme. Sofistët nuk ishin thjesht mësues të retorikës. Ata mësonin rregullat morale dhe etikën praktike duke u dhënë të rinjve një udhërrëfyes për jetën shoqërore dhe politike. Këto rregulla nuk ishin ligje të fiksuara, por parime që ndihmonin individin të vepronte drejtësisht, ndërkohë që merrnin parasysh interesin personal dhe atë publik. Ata mësonin se çdo veprim ka pasojë dhe se bindja e të tjerëve shpesh kërkon aftësi të rafinuara, durim dhe ndërgjegje morale. Një element kyç i mësimeve të sofistëve ishte arti i retorikës dhe oratorisë. Të rinjtë mësonin si të ndërtojnë argumente bindëse, si të përdorin analogji dhe metafora, si të organizojnë fjalimin në mënyrë logjike dhe emocionuese. Retorika nuk ishte thjesht teknikë për të fituar debate por një instrument edukativ dhe moral, një mënyrë për të formuar qytetarë të aftë të gjykonin, të analizonin dhe të ndikojnë pozitivisht në jetën publike. Sofistët theksuan gjithashtu se njohuria dhe perceptimi janë relative. Çdo individ ka perspektivën e tij dhe të gjitha bindjet mund të diskutohen dhe sfidohen. Ky relativizëm i njohurive, megjithatë, u kritikua ashpër nga filozofë si Sokrati, Platoni dhe Aristoteli. Sokrati i akuzonte sofistët për mangësi morale duke i parë si të përqendruar në fitim personal dhe jo në ndërtimin e karakterit të vërtetë. Platoni i portretizonte sofistët si tregtarë dijesh që përdornin fjalën për pushtet dhe përfitim, duke e shmangur edukimin e shpirtit dhe kërkimin e së vërtetës. Aristoteli, më vonë, i kategorizon sofistët si pjesë të retorikës së manipulimit duke dalluar mes bindjes së drejtë dhe bindjes së përdorur për pushtet. Historikisht, sofistët u bënë figura kyçe në edukimin e qytetarëve të Athinës. Ata nuk ishin filozofë të tërhequr në teoritë e tyre por udhërrëfyes praktikë dhe moralë, duke ndihmuar qytetarët të navigonin një shoqëri dinamike dhe të ndërlikuar. Në një qytet ku çdo qytetar mund të votonte dhe të fliste për çështje të drejtësisë dhe politikës, aftësia për të komunikuar dhe për të bindur ishte një aftësi jetike.
Sofistët pra, shfaqën një kritikë të brendshme të natyrës njerëzore, një tension midis bindjes dhe së vërtetës, midis pushtetit dhe etikës, midis interesit personal dhe përgjegjësisë shoqërore. Ata na kujtojnë se mendimi njerëzor nuk është kurrë absolut por ai formësohet nga perceptimet, dëshirat dhe aftësia për të komunikuar. Në këtë kuptim, sofistët nuk janë vetëm figura historike por simbol i përhershëm i marrëdhënieve komplekse midis njohurisë, moralit dhe pushtetit, një leksion i vlefshëm edhe për filozofinë dhe shoqërinë moderne.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit