Ka ndjesi që nuk shpjegohen me zë. Ka kujtime që s’mund të thuhen me fjalë. Ka dhimbje, mall, mungesa dhe gëzime që nuk kanë vend në bisedat e zakonshme të përditshmërisë. Ato gjejnë strehë vetëm në një vend,në fjalën e shkruar. Shkrimi është terapi jo vetëm për ata që merren me letërsi, por për këdo që ka një zemër të ngarkuar, një mendje të lodhur ose një shpirt që kërkon të dëgjohet. Kur shkruan, nuk po krijon thjesht një tekst por po përpunon dhimbjen tënde. Po qetëson emocionet, po shfryn, po fal, po çliron. Shpesh, fjala e parë në letër është një lot. Pastaj bëhet një thirrje e heshtur dhe me kohë, një reflektim. Aty ku nuk arriti kurrë një bisedë, mund të shkojë një fjali. Aty ku nuk të kuptuan, mund të kuptosh veten. Por shkrimi është edhe arkivë.Ai është kujtesa që koha nuk mund ta fshijë. Një vend ku i shkruan historitë e tua, ato të familjes, të fëmijërisë, të rrënjëve tua.
Sa herë ke menduar të shkruash për nënën? Për duart e saj që mbanin gjithçka bashkë?
Për një erë buke që mbushte shtëpinë? Për sytë e gjyshit që flisnin edhe kur ai vetë nuk fliste më? Nëse nuk i shkruan ti, kush do t’i ruajë këto? Nëse nuk i shpreh, kush do t’i dijë? Të shkruash është të mbash të gjallë atë që koha përpiqet të harrojë.
Është të kujtosh rrugicat ku luajte fëmijë, kutinë e letrave që gjyshja i ruante për vite, një darkë me gjithë familjen ku të gjithë ishin të pranishëm dhe ende asnjë nuk mungonte. Është e lehtë të harrojmë por është më njerëzore të kujtojmë. Të shkruash nostalgjinë nuk është një ndalesë në të shkuarën por një përqafim i saj, për ta sjellë pak më pranë. E ku ka më shumë kuptim sesa ta lësh një copëz zemre në letër për ata që do vijnë pas teje? Fëmijët, nipërit, mbesat, do lexojnë fjalët e tua si një letër dashurie për jetën. Do të ndihen më të lidhur me ty, me rrënjët e tyre, me historinë që ju bashkon.
Në një botë ku çdo gjë kalon me shpejtësi fotografitë zhduken nga telefoni, zërat harrohen, shtëpitë ndryshojnë, njerëzit ikin por fjala e shkruar mbetet. Prandaj shkruaj. Për të kaluarën. Për të tashmen. Për të ardhmen. Sepse shkrimi nuk është thjesht një dhunti. Është kujtesa jote personale. Është terapia jote e heshtur. Është arkiva jote e shpirtit.
Ndaje
