Vjeshta ka një mënyrë të vetën për të të ndalur ngadalë. Të ul përballë një dritareje, me një filxhan çaji në dorë, dhe të të kujtojë se koha kalon. Gjethet zbehen, ajri ftohet, drita e ditës ndryshon. Dhe mes gjithë kësaj qetësie që afrohet, del në skenë një frut që duket sikur bie në kontrast me gjithçka rreth tij,shega. E kuqe si zjarri i mbetur pas një stine të nxehtë. E bukur si një enigmë që nuk hapet lehtë. E shëndetshme, jo vetëm për trupin, por edhe për shpirtin. Sepse shega nuk është vetëm një frut por një histori e mbështjellë me lëkurë dhe kujtesë. Në çdo kokërr të saj, ka jetë. Dhe jo një por qindra. Kokrriza që shpërthejnë kur i shtyp, duke lëshuar një lëng të gjallë, thuajse gjakim të tokës, si një premtim i heshtur që jetës nuk i mbaron forca as në vjeshtë.
Në mitin e lashtë grek, shega është fruti që shënon kthesën e madhe. Persefona, vajza e Demetrës, hëngri gjashtë kokrra shege në botën e nëndheshme dhe për këtë, i duhej të kthehej atje gjashtë muaj në vit. Nga ky akt i vogël, u krijuan stinët. Pranvera dhe vera janë kthimi i saj, ndërsa vjeshta dhe dimri,mungesa. Sa domethënëse. Një frut i vogël por që përcakton ciklin e natyrës dhe mbase edhe tonin. Në traditën shqiptare, shega është shenjë mbarësie. Në fundvit, hidheshin kokrra shege në pragun e derës për të sjellë fat. Në dasma, dhurohej për pjellori e dashuri. Shega nuk hapej për t’u ngrënë vetëm por hapej për t’u ndarë me familjen, me mysafirët, me të nesërmen. Ndaj edhe sot, kur hap një shegë në vjeshtë, ka diçka thellësisht rituale në atë veprim. Nuk është thjesht një frut. Është një akt kujtese. Një lidhje me rrënjët,tokën,historinë. Me duart e gjyshes që e ndante për nipërit. Me kopshtin që i dhuronte më të mirat para se të mbyllej për dimër. Dhe në kohën tonë moderne, shega mbetet po aq simbolike. Nutricionistët e quajnë “superfrut”. E pasur me antioksidantë, vitamina, hekur. Lufton inflamacionin, ndihmon zemrën, pastron gjakun. Në një botë që lodhet e sëmuret shpejt, shega është një dhuratë e natyrës që vjen pa zhurmë.E bukur. E kuqe. E shëndetshme. Si një kujtesë që edhe në stinën e mbylljeve, mund të gjendet diçka që hapet. Shega na mëson se bukuria nuk është gjithmonë në pamjen e jashtme, por në thellësinë e gjërave. Se nuk duhet të trembemi nga stinët që bien, sepse çdo rënie ka brenda saj mundësinë për të mbirë sërish.
E në këtë vjeshtë, më shumë se kurrë, le të hapim një shegë dhe të shohim përtej kokrrave të saj. Të gjejmë aty kujtime, shpresë, shije dhe fillime.Sepse ka fruta që ushqejnë trupin.
Dhe ka fruta, si shega, që ushqejnë shpirtin.
Ndaje
