Servilizmi që feston çdo ndryshim por nuk beson asnjë

Ndaje

Ka një emocion të njohur që shfaqet sa herë ndryshon pushteti e shoqëruar me urime, përqafime, fraza të përpunuara por në realitet, ajo që ndodh është veç ripërtëritja e një teatri të vjetër, servilizmi i institucionalizuar. Dhe ky servilizëm s’ka nevojë për ide, as për ideale sepse i mjafton një emër i ri në karrige, një titull i ri në profil dhe ja ku shpërthen kori i zërave të ngrohtë, të cilët deri dje ishin kritikë, madje të rreptë. Sot janë lavdërues, të përkushtuar, të mbushur me fjalë të mëdha dhe ndjeshmëri të theksuar aq sa ngjan më shumë me një garë, kush lavdëron më bukur, më shpejt, më zhurmshëm. Jo të gjithë u gëzuan por çuditërisht, thuajse të gjithë uruan. Edhe ata që deri dje heshtnin ose godisnin, sot dhurojnë buzëqeshje publike. Biles u ruajt formula e njohur se nuk jemi hipokritë, vetëm jemi diplomatë. Sa për të qeshur. Realisht jemi pjesë e një kategorie që ushqehet me pushtet dhe jo me parime. Dhe kjo u pa qartë së fundmi me emërimin e një gruaje në një post të rëndësishëm drejtues. Në vend që ky të ishte një moment për reflektim, për hapje diskutimi mbi sfidat e drejtimit nga gratë në një terren të vështirë si Vlora festa zgjati vetëm sa për të përfunduar postimin në rrjetet sociale. Për shumë njerëz, nuk kishte rëndësi nëse ajo grua do të ketë vërtet mbështetje, nëse do të përballet me paragjykime apo do të mund të ndërtojë një model të ri drejtimi. E rëndësishme ishte të bëje urimin, të dukeshe dhe të ishe pjesë. Sepse tek ne, nuk mbështetet realisht askush, as burrat me integritet nuk mbijetojnë gjatë. Për gratë është edhe më e vështirë. Historia ka treguar se ato janë përballur me goditje të egra, përçmime të heshtura dhe një terren ku nuk të vret vetëm kritika por edhe mungesa e sinqeritetit. Në këtë teatër të përditshëm, “gruaja në pushtet” bëhet shpesh thjesht një poster i ndryshimit, një trofe për t’u ekspozuar, një emër që përdoret por rrallë mbrohet realisht. Ndaj mendoj se , servilizmi është virusi më i qëndrueshëm i shoqërisë sonë. Nuk ka vaksinë për të sepse ai vishet me kostum ndryshimi, me fjalë të zgjedhura, me etiketa që tingëllojnë moderne. Në fakt, janë thjesht mbulesa për të njëjtën nevojë primitive, të jesh afër pushtetit kushdo ta ketë. Dhe kështu, ndërsa ne bëjmë sehir, gratë e forta lodhen dyfish, një herë nga puna, një herë nga hipokrizia që i rrethon. Ndaj edhe sot, përballë gjithë kësaj ngarkese të shpejtë emocionesh të rreme, pyes veten: A është vërtet një fitore për gratë kur përdoren si flamur nga një shoqëri që nuk ua njeh të drejtën të jenë vetvetja? A është ndryshim, nëse të njëjtët njerëz që urrejnë një emër, duartrokasin tjetrin vetëm sepse “kështu duhet”? A është progres, kur vetë gratë shpesh janë viktima të një loje ku rreshtimi është më i rëndësishëm se mendimi? Jo, nuk është. Dhe nuk duhet të kemi frikë ta themi. Unë i mbështes gratë që marrin përsipër sfida të vështira por i mbështes me kërkesën që t’i qëndrojnë larg lavdërimeve pa dinjitet, urimeve me dhëmbë të shtrënguar dhe turmave që brohorasin jo nga bindja por nga zakoni i puthjes së dorës që mbahet lart. Dhe në fund, një grua në pushtet është fitore vetëm nëse ajo ka hapësirën të jetë grua e plotë dhe jo figurë dekorative edhe nëse shoqëria përreth zgjedh ta përkrahë me zë të ndershëm e jo me status të stisur. Sepse servilizmi nuk ka gjini por ka një fytyrë shumë të njohur dhe ajo fytyrë jemi ne, sa herë heshtim nga frika, lavdërojmë nga interesi ose shfaqemi si mbështetës, por ama, vetëm për sy e faqe.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit