Sekretet e Komunikimit, çelësi për të qenë i fuqishëm dhe i sigurt

Ndaje

Gjatë viteve që kam punuar me gjimnazistë kam parë një të vërtetë që shpesh nuk diskutohet mjaftueshëm. Shumë prej tyre kanë ide brilante, janë të zgjuar dhe të talentuar, por nuk arrijnë të tregojnë potencialin e tyre për shkak se nuk dinë të komunikojnë. Shumë shpesh, jam përballur me situata ku një nxënës që di përgjigjen perfekte në një test, nuk mund të shprehet në klasë ose nuk arrin të mbrojë idetë e veta në një diskutim. Kjo më ka bërë të kuptoj se aftësia për të komunikuar nuk është thjesht një aftësi sociale, por një mjet jetik për suksesin personal dhe profesional. Nuk ka rëndësi sa shembullor është, sa i zgjuar apo sa i talentuar por nëse nuk di të flasësh, të dëgjosh dhe të kuptosh të tjerët, shumica e mundësive të rëndësishme të jetës mund të humbasin. Nxënësit që e zotërojnë këtë aftësi dallohen menjëherë, ata nuk janë vetëm të dëgjuar por shpesh bëhen udhëheqës të natyrshëm në grup, marrin iniciativa dhe krijojnë aleanca që të tjerët nuk i shohin. Ata mësojnë se komunikimi nuk është thjesht të flasësh, por të kuptosh audiencën, të lexosh sinjalet e njerëzve dhe të përdorësh fjalët, tonin e zërit dhe gjuhën e trupit për të krijuar një efekt të plotë. Nga eksperienca ime, më është dukur e qartë se nxënësit që nuk e kanë mësuar këtë, shpesh ndihen të pasigurt kur duhet të prezantojnë një projekt, të debatojnë në klasë ose thjesht të shprehin mendimet e tyre. Ata që e zotërojnë komunikimin nuk merren vetëm me fjalë boshe por dëgjojnë me vëmendje, bëjnë pyetje që zbulojnë informacione të rëndësishme dhe dinë të përdorin heshtjen si një armë të mençur. Kjo është arsyeja pse besoj fort se lënda e komunikimit duhet të jetë pjesë e ciklit 9-vjeçar dhe e gjimnazit si lëndë bazë. Nuk duhet të jetë një lëndë që mësohet vetëm për të marrë nota por një aftësi jetike që çdo nxënës të mund ta zotërojë. Nxënësit duhet të mësojnë sekretet e komunikimit që nga mosha e hershme, jo thjesht për t’u bërë të pranishëm në një bisedë, por për të qenë të fuqishëm, të sigurt dhe krenarë për aftësitë e tyre. Kur nxënësit e kuptojnë këtë, ndryshimi është i menjëhershëm sepse ata bëhen më të qetë kur flasin para grupit, më të gatshëm të ndajnë ide të reja dhe më të aftë të ndërtojnë marrëdhënie të forta me të tjerët. Komunikimi nuk është më një sfidë por një superfuqi që u mundëson të hapin dyer që të tjerët nuk i shohin.
Gjatë këtyre viteve pranë nxënësve, kuptova se komunikimi ka disa sekrete që shumica nuk i dinë por që ndryshojnë çdo bisedë, çdo prezantim dhe çdo marrëdhënie. Nuk janë thjesht “truket e fjalës” por aftësi që të bëjnë të dallosh dhe të fitosh respekt. Dëgjimi aktiv është një prej sekreteve të komunikimit. Shumë nxënës mendojnë se kur flasin shumë, janë të fuqishëm. Por fuqia nuk është të flasësh por të dëgjosh. Kur dëgjoj me vëmendje shokët ose mësuesin, kuptoj më shumë sesa thjesht fjalët, kuptoj motivet, shqetësimet dhe idetë e fshehura. Kjo më jep avantazh kur duhet të përgjigjem ose të kontribuoj në grup. Pyetjet që hapin dyer është çelësi tjetër.
Nxënësit që dinë të bëjnë pyetje të mençura marrin informacion që të tjerët nuk e japin lehtë. Pyetjet e duhura i bëjnë njerëzit të flasin më shumë, të ndajnë mendime dhe ide dhe më lejojnë të kuptoj se si të veproj në mënyrën më të mirë. Gjithashtu gjuha trupore dhe sinjalet jo-verbale janë pjesë e rëndësishme në shkencën e komunikimit.
Në klasë, kur shoh se një nxënës është i pasigurt, shpesh e kuptoj vetëm nga pozicioni i trupit ose nga zëri i tij. Kur unë qëndroj drejt, shoh në sy dhe përdor mimikë të kontrolluar, biseda ime fiton fuqi pa thënë asgjë më tepër. Gjuhë trupore e mençur është një sekret që shumë nxënës e neglizhojnë. Tek empatia strategjike kur kuptoj ndjenjat e të tjerëve, nuk bëhem e dobët por e fuqishme. Kuptimi i emocioneve të shokëve ose mësuesve më lejon të ndërtoj marrëdhënie të forta, të shmang konfliktet dhe të jem efektiv në çdo bisedë. Tek qartësia dhe sinqeriteti fjalët që flas duhet të kenë peshë. Kur jam e qartë dhe e sinqertë, të tjerët më besojnë dhe më respektojnë. Nxënësit shpesh gabojnë duke folur shumë ose duke komplikuar mesazhin , sekret i vërtetë është të thuash pak por me fuqi. Heshtja e mençur është një nga sekretet më të mëdha. Në klasë, kur një diskutim bëhet i tensionuar, nxënësit që dinë të heshtin në momentin e duhur shpesh dominojnë bisedën. Heshtja i lejon të tjerët të flasin më shumë dhe unë mund të analizoj situatën para se të veproj. Sekreti më i madh është të praktikosh çdo ditë. Nxënësit që përpiqen të përmirësojnë tonin e zërit, mënyrën e prezantimit dhe mënyrën se si dëgjojnë, shohin rezultate të menjëhershme. Komunikimi nuk është talent i lindur por aftësi që mësohet, eksperimenton dhe perfeksionohet. Në eksperiencën time, nxënësit që mësojnë këto sekrete bëhen të qetë kur flasin para klasës, ndihen krenarë për idetë e tyre dhe marrin respekt nga të tjerët. Ata kuptojnë se komunikimi nuk është vetëm fjalë por pushtet, shprehje dhe mënyrë për të lënë gjurmë. Për këtë arsye, çdo shkollë duhet ta konsiderojë komunikimin si lëndë bazë, jo thjesht për nota por si aftësi jetike që ndryshon mënyrën se si çdo nxënës do të sillet, do të mendojë dhe do të ndikojë në botën përreth tij sepse në fund të ditës, ajo që të bën të dallosh nuk është vetëm ajo që di, por si e shpreh dhe e përdor njohurinë tënde.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit