Rruga e mundimshme drejt njohjes dhe peshat e dritës

Ndaje

Ka rrugë që njeriu i nis me shpresë dhe i mbaron me plagë. Ka të tjera që nisen me plagë dhe mbarojnë me dritë. “Rruga e mundimshme drejt njohjes” e Lion Feuchtwanger ( Foihtavanger) përkthyer mjeshtërisht nga Robert Shvarc, është një nga ato rrugë që nuk të çon vetëm drejt një historie, por drejt vetvetes. Një roman që kërkon guxim dhe jo lexim Feuchtwanger nuk shkruan për t’u pëlqyer por për të të vënë në siklet.Romani, si pjesë e traditës së tij filozofiko-historike, është një udhëtim shpirtëror përmes kohës, ku dija nuk është privilegj por mundim. Ai e sheh njohjen si një proces dhimbjeje,një sëmundje e shenjtë që të shkatërron iluzionet përpara se të të japë ndriçim.Në thelb të veprës qëndron ideja se njeriu nuk mund të arrijë të kuptojë botën pa kaluar më parë përmes humbjes.Feuchtwanger, i formuar në frymën humaniste të Gjermanisë së shekullit XX, e vendos njeriun në qendër të përplasjes midis dijes dhe pushtetit, idealizmit dhe fanatizmit, besimit dhe dyshimit. Personazhet e tij nuk janë vetëm figura letrare por janë simbolë të dilemave ekzistenciale,njeriu që kërkon të dijë gjithçka por humbet aftësinë për të ndier,mendimtari që shkon pas së vërtetës por e shkatërron me analizën e vet,idealisti që përpiqet të ndryshojë botën por përfundon duke u tretur në të. Vetë titulli, “Rruga e mundimshme drejt njohjes”, është një metaforë e përjetshme e jetës njerëzore.Në çdo epokë, njeriu ecën përmes mjegullës së injorancës drejt dritës së dijes por çdo hap kërkon sakrificë.Feuchtwanger nuk i beson rrugëve të lehta por ai e di se njohja nuk vjen nga leximet e shumta por nga përballjet e vështira me vetveten, me historinë, me padrejtësinë. Në roman, rruga e njohjes është gjithmonë edhe rruga e humbjes. Për të kuptuar, njeriu duhet të humbasë diçka , qetësinë, sigurinë ndoshta edhe vetë besimin se dija sjell shpëtim.Feuchtwanger e sheh dijen si një flakë që ndriçon por edhe djeg dhe në këtë kontrast qëndron bukuria e shkrimit të tij,një tension i përhershëm mes dritës dhe hirit. Feuchtwanger e shkroi këtë vepër në një kohë kur bota po digjej nga ideologjitë. Si një intelektual hebre gjerman, ai u përball me përndjekjen, me mërgimin, me shpërbërjen e idealeve që dikur kishin frymëzuar Evropën.Në këtë kuptim, romani nuk është vetëm filozofik por një dokument shpirtëror i një njeriu që e ka parë errësirën me sytë e vet. Ai e di se njohja ka çmim dhe shpesh ky çmim është vetmia. Personazhet e tij mbartin këtë peshë. Ato janë figura që lëkunden mes dritës së arsyes dhe mjegullës së ideologjisë. Përmes tyre, Feuchtwanger pyet lexuesin “ A mund të jesh i ditur dhe njëkohësisht i drejtë? A mund të ndriçosh botën pa e verbuar veten?”Këto pyetje përshkojnë çdo faqe dhe mbeten të hapura deri në fund. Por është e pamundur të flasësh për këtë roman pa përmendur përkthimin e Robert Shvarc.
Shvarc nuk ishte thjesht një përkthyes por një rilindës i fjalës. Në duart e tij, proza e Feuchtwanger-it merr frymë shqip pa humbur gravitetin e origjinalit.
Fjalitë e gjata, të mbushura me reflektime, mbajnë atë tonin e mendimit gjerman që rrallë përkthehet me kaq finesë.Ai arrin të ruajë muzikalitetin dhe sarkazmën e autorit duke i dhënë lexuesit shqiptar ndjesinë e një vepre që duket se është shkruar në gjuhën tonë.
“ Rruga e mundimshme drejt njohjes” nuk ofron qetësi sepse është një roman që të lë pezull, si një pasqyrë që s’të tregon fytyrën por sytë, dhe në ta sheh një lodhje që e njeh mirë.
Feuchtwanger të kujton se çdo dritë është një barrë dhe se njohja nuk është për të gjithë.Ajo kërkon ata që janë gati të përballojnë pasojat e saj.
Në një kohë kur dija është bërë e lehtë dhe e shpejtë, ky roman na kthen te thelbi i saj i harruar se dija si përvojë që digjet jo që shkëlqen.E në këtë kuptim, Feuchtwanger është më aktual se kurrë sepse edhe sot, në këtë shekull të informacionit, rruga drejt njohjes mbetet po aq e mundimshme sa atëherë,ndoshta më shumë. Në fund të fundit, ky roman nuk lexohet për të mësuar por për të ndryshuar. Dhe kjo është forma më e lartë e dijes që mund të arrijmë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit