Rruga Averof. Aty ku Janina merr frymë

Ndaje

Ka qytete që i njeh nga monumentet ose nga historia. Por ka edhe qytete që i njeh nga rrugët e tyre të përditshme, nga ato që nuk lakohen në guida turistike, që nuk shfaqen në posterat e agjencive por që mbajnë në shpatulla gjithë ritmin e jetës urbane. Në Janinë, një nga këto rrugë është Rruga Averof. Një rrugë që nuk lëviz me zhurmën e makinave por me zërin e njerëzve. Një rrugë që nuk ndriçon me fasada të larta por me dritat e buta të dyqaneve të vjetra, ku secila llambë mban kujtimet e mijëra hapave të përditshëm. Në Averof, historia nuk shkruhet me libra por me duar. Me duart e argjendarëve që prej dekadash punojnë stoli të imta, forma delikate, bizhuteri që tregojnë rrëfime të një kulture të lashtë epirote. Disa prej këtyre dyqaneve janë të vogla ,me vitrina të thjeshta por aty brenda mbahen histori që ndoshta nuk do i lexosh kurrë askund tjetër. Stoli me gurë blu që shndrisin si liqeni, unaza të gdhendura me motive tradicionale, varëse që duken sikur kanë zbritur nga ndonjë këngë e vjetër. Në ato dyqane nuk blen vetëm një send por një copëz qyteti dhe vet Averofi është i lumtur ta mbartë atë trashëgimi. Disa hapa më tej, një aromë e butë të tërheq vetvetiu,djathë vendas, erëza, vaj ulliri, reçelë të bërë në shtëpi. Dyqanet tradicionale të Averofit janë si një fotografi e një Janine tjetër, ajo e fshatrave, e traditës, e shijeve të vjetra që nuk i zëvendëson dot koha. Sa hap portën dhe gjithçka merr ton tjetër, zëra miqësorë, rafte prej druri, shije vendase që kanë kaluar brez pas brezi. Rruga merr erë arome të butë që të kujton udhëtime, tryeza familjare, festa dhe ditë të ftohta dimri pranë oxhakut. Averofi nuk është rrugë e rënduar me luks. Aty do gjesh dyqane rrobash, minimarkete të përditshme, një salon bukurie, një kënd celularësh, ndonjë punishte të vogël por pikërisht kjo e bën të vërtetë. Aty sheh si lëviz qyteti natyrshëm, pa maska, pa përpjekje të kota. Trotuari ngushtohet e zgjerohet, njerëzit ecin shpejt, studentë mbajnë çantat e mëdha të shkollës , të moshuar ecin ngadalë që të mos humbasin asgjë nga ajo përditshmëri që u jep jetë. Rruga është si një lumë i qetë me dallgë të vogla që ndalen në çdo prag dyqani. Tjetra, në Averof, kafeja nuk është thjesht pije por ritual. Kafenetë përgjatë rrugës, disa moderne, disa minimaliste, disa me atmosferë familjare, u japin njerëzve një vend ku mund të marrin frymë. Tavolina të vogla, filxhanë që nxjerrin avull, aroma e kafesë greke që mbush ajrin. Ka diçka të bukur në mënyrën si njerëzit ulen aty,të qeshura të qeta, biseda të ulëta, gota që trokasin lehtë. Një moment i shkurtër por i mjaftueshëm, për t’u shkëputur nga rrjedha e ditës.
Kur dielli perëndon, Averofi ndryshon ritëm. Dyqanet mbyllen një nga një, zhurma bie, rruga mbulohet nga një qetësi e butë. Dritat e pakta të mbetura ndriçojnë gurët e trotuarit dhe rruga duket sikur merr frymë thellë, pas një dite të gjatë.
Është një heshtje që nuk të tremb por të mbush me qetësi.Një qetësi që të kujton se qytetet nuk janë vetëm sheshe madhështore por edhe rrugë të vogla, të përditshme, të sinqerta. E pra, rruga Averof nuk është destinacion turistik i zhurmshëm por kartolinë.
Nuk është skenë e zbukuruar por zemra e heshtur e një qyteti të gjallë. Një vend ku tradita nuk është fjalë e madhe por zakon i përditshëm ku jeta nuk shtiret por ndodh. Ku çdo hap është një tregim i vogël, dhe çdo dyqan mban brenda pak nga ajo që e bën Janinën të jetë, Janinë. Averofi është rruga që nuk e harron dot, sepse të kujton se bukuria nuk është gjithmonë e madhe.E vërteta është shpesh e thjeshtë, e vogël, dhe e sinqertë,si një rrugicë që e do qytetin e vet dhe të pret me dyer hapur.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit