Rose Valland. Gruaja që ruajti artin me heshtje heroike

Ndaje

Në tetorin e vitit 1940, Parisi dridhej nën hije të errëta. Muzetë e tij, dikur tempuj të bukurisë dhe kujtesës, u pushtuan nga nazistët që kërkonin të rrëmbenin çdo frymë arti të mbetur. Monet, Cézanne, Vermeer ,kryevepra që kishin jetuar në familje dhe institucione franceze për breza, tani ishin shndërruar në thesar të grabitur, të destinuar për kështjellat e Hermann Göring dhe ëndrrat e çmendura të Hitlerit.
Mes kaosit dhe frikës, ata panë një grua të heshtur dhe të rezervuar. E thjeshtë në veshje, e padukshme në lëvizje, e dukshme vetëm si një hije në korridoret e muzeut. Nazistët nuk mund të mendonin se kishin ndeshur dikë që do t’u sfidonte planet pa një plumb të hedhur apo pa një shpërthim. Ajo quhej Rose Valland. Ishte 42 vjeçe, e përgatitur nga institucionet më të mira franceze dhe drejtonte muzeun prej dy vitesh para pushtimit. Kur drejtoresha e muzeve i propozoi një detyrë të rrezikshme, të qëndronte, të vëzhgonte çdo gjë dhe të raportonte tek Rezistenca, Rose nuk hezitoi. Ajo e kuptoi menjëherë se heshtja dhe padukshmëria mund të ishin armët më të fuqishme.
Hermann Göring vizitonte muzeun 21 herë. Ai mbërrinte me trenin e tij privat duke zgjedhur kryeveprat që do të zbukuronin kështjellën e tij dhe Rose ishte aty çdo herë, qetësisht, si një hijë, ndërsa mendja e saj regjistronte çdo detaj. Çfarë nazistët nuk e dinin ishte se ajo kuptonte çdo fjalë që thoshin. Diskutimet për trenat, numrat e vagonëve, vendndodhjet e depozitave , asgjë nuk i shpëtonte. Çdo natë, shënimet e saj fsheheshin në fletore që vetëm ajo dinte ku i kishte fshehur. Një korrik i vitit 1943 solli tmerrin më të madh. Pesëqind piktura , Picasso, Miró, Klee dhe shumë të tjerë u grumbulluan dhe u vunë flakën në tarracën e muzeut. Rose qëndroi pas një dritareje, duke parë fytyrat e mjeshtërve të zhdukur në tym. Zemra i dridhej nga dhimbja por stilolapsi i saj nuk u ndal. Çdo vepër e humbur u shënua me përpikëri, një dëshmi për të ardhmen.Kur aleatët u afruan në gusht 1944, nazistët provuan të evakuonin 148 arka me kryevepra të paçmuara. Rose kishte regjistruar numrat e vagonëve dhe dërgoi informacionin tek Rezistenca. Treni u ndalua para se të arrinte në Austri. Artet shpëtuan nga zhdukja e sigurt. Pas çlirimit të Parisit, Rose fillimisht u arrestua si e dyshuar për bashkëpunim por e vërteta doli shpejt në pah. Megjithatë, ajo nuk i besoi pothuajse askujt dhe mbajti informacionet më të rëndësishme të fshehta për muaj të tërë. Arkivat e saj treguan mbi 20.000 vepra arti, destinacionet e tyre dhe dokumente transporti,një hartë thesari për rikuperimin e artit. Në tetë vitet e ardhshme, Rose shërbeu në Gjermani, duke gjurmuar kështjella, miniera dhe depo të fshehta, ku mjeshtrat e artit ishin fshehur me kujdes. Kur u përball me Hermann Göring në gjyqet e Nurembergut, i prezantoi provat me qartësi të frikshme. I njëjti njeri që e kishte injoruar 21 herë më parë, tani duhej të jepte llogari para saj. Në fund, Rose Valland ndihmoi në rikuperimin e rreth 60.000 veprave arti. Dyzet e pesë mijë prej tyre u kthyen tek pronarët e ligjshëm, shumë prej tyre familjeve hebreje që kishin humbur gjithçka tjetër. Arti përfaqësonte identitet, trashëgimi dhe kujtesë dhe fragmente jete që nazistët përpoqën t’i zhduknin.
Historia e Rose Valland sfidon çdo ide të zakonshme të heroizmit. Ajo nuk luftoi me armë. Nuk hodhi trena në erë. Por stilolapsi i saj, durimi i saj dhe heshtja e saj ishin armët më të fuqishme të mundshme. Për katër vjet, ajo rrinte në heshtje, duke regjistruar të vërtetën ndërsa të gjithë e nënvlerësonin. Ajo e kuptoi se maska më e fuqishme është të jesh pikërisht ajo që njerëzit presin të mos vërejnë.
Dhe ndonjëherë, thjesht qetësia dhe padukshmëria janë më të rrezikshme se çdo armë. Ndonjëherë, personi më i rrezikshëm në dhomë është ai që askush nuk e sheh por çdo gjë e di.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit