Rituali i Dollisë. Nga trashëgimi kombëtare te përvoja personale

Ndaje

Ka lajme që na kujtojnë kush jemi. Jo kush duam të jemi, por kush jemi thellë në të vërtetë. Një prej tyre është shpallja e ritualit të dollisë si vlerë kombëtare e trashëgimisë jomateriale Ky nuk është thjesht një vendim administrativ , është një akt që i jep nder asaj që prej shekujsh ka qenë një nga shtyllat e kulturës sonë të gjallë,fjala e urtë në sofrën shqiptare. Dollia shqiptare nuk është thjesht një gotë që ngrihet në ajër. Është një gjuhë më vete. Ajo është poezi popullore, është urtësi familjare, është akt shpirtëror. Është fjala që nuk thuhet për të bërë zhurmë, por për të lënë gjurmë. Dhe ndryshe nga shumë rituale që mbahen në korniza muzeale, dollia jeton ende, përhapet ende, dhe në shumë raste,shpëton ende. Ky vendim i shtetit shqiptar është një ftesë për reflektim dhe përkujdesje. Sepse traditat nuk mbahen me dekrete. Mbahen me përvojë, me dashuri dhe me përsëritje. E nëse vërtet e konsiderojmë dollinë si vlerë kombëtare, duhet ta ruajmë siç ruhet një kujtim i çmuar duke e përjetuar sërish. Dhe unë e kam përjetuar dhe ndaj dëshiroj ta quaj një përvojë dollish tavolinash. Ka një moment të veçantë në çdo tavolinë shqiptare kur zhurma fashitet, gotat ngrihen dhe një zë merr fjalën. Është çasti i dollisë,ai fragment i shkurtër ku gjithçka përqendrohet në një fjalë të mirë, në një kujtim të ndjerë, në një urim të zemrës. Për ne që kemi jetuar me këtë ritual, nuk është thjesht zakon. Është një përvojë njerëzore, e thellë, e ngrohtë, ndonjëherë e mprehtë, shpesh edhe plot humor. Unë kam krijuar vetë një katalog të heshtur dollish në kujtesë. Kam dëgjuar burrat e shtëpisë sime duke ngritur dolli me fjalë që nuk i gjen në libra, por që rëndojnë bukur në zemër. Kam parë si një gotë e vogël, e mbushur me raki ose verë, shndërrohej në pretekst për të folur për jetën, nderin, dashurinë, hallin, burrërinë, burrneshën, dhe miqësinë. Nuk e di se kush e shpiku këtë formë të të folurit me gotë në dorë, por e di me siguri se shqiptarët e bënë art. E përpunuan. E kodifikuan në mënyrën e tyre. Sepse dollia jonë nuk është thjesht një urim. Është një pasqyrë e karakterit. Një provë burrërie për burrat e moçëm, një shfaqje mençurie për pleqtë, një rast për të provuar veten për të rinjtë. Kam qenë në tavolina ku dollia hapej me qetësi, me një gotë për ata që s’janë më, e mbyllej me këngë e lot gëzimi. Kam qenë edhe në ato ku fjala e mirë shpëtoi një grindje, apo ku një kujtim i thjeshtë ktheu një grup njerëzish të largët në familje për një natë. Kam parë burra të rreptë që ndalnin fjalën, sepse fjala e dollisë ishte më e rëndë se heshtja e tyre. Kam qenë e vogël kur mësova të dëgjoj, dhe tani që flas vetë, e di se çfarë përgjegjësie është fjala në një dolli. Sot, që ky ritual është shpallur vlerë kombëtare, mendoj me veten. A do të guxojmë ta ruajmë siç duhet? Jo ta mbyllim në dosje zyrash, por ta mbajmë gjallë me dashuri, në sofrat tona të zakonshme, në gëzime familjare, në darka shoqërore. Sepse kur dollia thuhet me ndjenjë, ajo nuk i përket vetëm së shkuarës,ajo është një mënyrë për të ndërtuar marrëdhënie më të thella në një kohë që po e harron ngrohtësinë. Dhe në fund, çdo dolli është pak edhe pasqyrë e njeriut që e thotë. Në një vend ku gjithçka mund të ndryshojë, kjo mënyrë e të komunikuarit, e të kujtuarit dhe e të nderuarit vlen më shumë se kurrë. Sepse në një botë që flet shumë e dëgjon pak, dollia është akti i rrallë kur fjala dëgjohet dhe vlen.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit