Termi makiavelizëm sot është bërë një fjalë që përdoret me lehtësi nëpër studio televizive, në komente politike, në biseda të zakonshme për të përshkruar njerëz të paskrupullt, të ftohtë, manipulues, që dinë të përdorin çdo mjet për të arritur qëllimet e tyre.
Por kjo mënyrë përdorimi është më shumë një pasqyrë e shoqërisë sonë sesa e mendimit të vetë Niccolò Machiavelli-t. Në fakt, Makiaveli ishte realist.Ai nuk shpiku dinakërinë por thjesht e vuri në përdorim, nuk krijoi imoralitetin por e pa atë si pjesë të pandashme të pushtetit.
Në veprën e tij “Princi”, ai nuk i thotë sundimtarit “bëhu mizor” por “ kupto se ndonjëherë, për të mbijetuar, duhet të bësh edhe gjëra që s’i pëlqejnë moralistëve”. Makiaveli jetoi në një Itali të ndarë, të përgjakshme, ku principatat rrëzoheshin çdo muaj dhe tradhtia ishte monedhë e zakonshme. Ai shkruante për botën që shihte dhe jo për botën që do të donte të ekzistonte dhe ky është dallimi i madh midis filozofit dhe moralistit, i pari e përshkruan realitetin ndërsa i dyti e justifikon. Fraza “qëllimi justifikon mjetet” që sot është sinonim i makiavelizmit nuk është shkruar kurrë nga Makiaveli por është një përkthim i gabuar, një keqinterpretim i bërë më vonë nga kundërshtarët e tij politikë. Makiaveli nuk thotë “bëj çdo gjë që të fitosh” por, “nëse do të mbijetosh si udhëheqës, mëso të njohësh realitetin ashtu siç është dhe jo siç do të donte morali ta shihte.” Në shumë raste, ai u kërkon princave të jenë të përmbajtur, të fitojnë respektin e popullit, të shmangin mizorinë e panevojshme por në botën moderne, ku gjithçka reduktohet në fitore dhe humbje, është shumë më e lehtë ta përdorësh Makiavelin si justifikim sesa si paralajmërim.Sot, makiavelizmi nuk është më doktrinë politike por strategji jetese.E gjen në zyrë, në politikë, në media, në marrëdhënie shoqërore.Në çdo situatë ku dikush thotë se duhet të jesh pak i ftohtë për të mbijetuar ose se nuk shkohet larg me ndershmëri, fryma e shtrembëruar e Makiavelit merr frymë. Por a është kjo vërtet filozofia e tij? Në realitet, ajo është reflektimi i cinizmit tonë modern, që kërkon legjitimitet filozofik për sjellje të pandershme.E kemi marrë një mendimtar që përpiqej të shpjegonte pushtetin dhe e kemi kthyer në simbol të mungesës së moralit. Makiavelizmi i sotëm nuk është më analizë e politikës por justifikim i moralit të deformuar kur mashtrimi, intrigat dhe gënjeshtra arsyetohen si “pjesë e lojës”, kur fjalët “realpolitikë” dhe “makiavelist” përdoren për të larë duart nga çdo përgjegjësi morale, atëherë nuk po flasim më për filozofi por për amoralitet me petk intelektual. Ndoshta mënyra më e drejtë për ta kuptuar Makiavelin është ta shohim si pasqyrë dhe jo si model. Ai nuk na thotë: “Bëhuni kështu” përkundrazi, ai na tregon: “Ja si janë gjërat kur pushteti s’ka frikë nga morali”. Në këtë kuptim, Makiaveli është më shumë paralajmërim sesa udhëzues. Nëse një lider lexon “Princin” për të mësuar si të manipulojë ai e ka kuptuar keq. Nëse e lexon për të kuptuar si të mbrojë shtetin nga anarkia e interesave personale, atëherë e ka kuptuar drejt. Në realitetin tonë politik, ku fjala “strateg” shpesh përdoret për të fshehur mashtrimin dhe “pragmatizëm” për të justifikuar mungesën e parimeve, makiavelizmi është bërë mënyrë të menduari por problemi nuk është Makiaveli. Problemi është se ne e kemi marrë filozofinë e tij për ta përdorur kundër vetes , për ta justifikuar padrejtësinë dhe jo për ta kuptuar. Nëse do të lexonim Makiavelin me kujdes, do të shihnim se ai i kërkon sundimtarit diçka që pak prej nesh e shohin sot në politikë. Të ketë respekt për shtetin, për popullin dhe për stabilitetin e tij. Ai nuk thotë “sundo për vete”, por “sundo mirë që të mos rrëzohesh”.
Në këtë kuptim, Makiaveli ishte më moral se shumë prej atyre që e citojnë. Kur sot dikush quhet “makiavelist”, shpesh e thotë me krenari, si të ishte sinonim i zgjuarsisë politike por në thelb, ky është një keqpërdorim i emrit të një njeriu që deshi t’i tregonte botës se pushteti është armë që duhet përdorur me përgjegjësi. Në një kohë kur morali shpesh shihet si pengesë për suksesin, Makiaveli na kujton diçka që s’e kemi lexuar mirë se shteti nuk mbahet me gënjeshtra por me mençuri dhe një lider i mirë nuk është ai që fiton çdo betejë por ai që di të mos e humbasë njeriun brenda vetes. E pra,Makiaveli s’e shpiku mungesën e moralit por ne keqpërdorimin e tij.
Ndaje
