Pyetjet që ende na djegin ndërgjegjen…Refleksion në kujtim të ditës së lindjes së filozofit

Ndaje

Jean-Jacques Rousseau ngriti pyetje që për kohën e tij ishin të rrezikshme.
Pyetje që trazonin themelet e moralit, politikës dhe vetë mënyrës së të jetuarit. Çfarë do të thotë të jesh i lirë? Një pyetje që sot, në kohën e zgjedhjeve virtuale dhe iluzioneve sociale, tingëllon edhe më sfiduese. Jemi të lirë të postojmë, të komentojmë, të votojmë… por sa prej nesh janë vërtet të lirë në mendim, në ndërgjegje, në veprim? A është njeriu i mirë nga natyra, por i korruptuar nga shoqëria? Një dilemë që sot e shohim çdo ditë në marrëdhëniet njerëzore, në sistemet arsimore, në mënyrën si rriten fëmijët, si ndërtohen karrierat dhe si heshtin të rriturit përballë padrejtësive. A na bën qytetërimi më të lumtur… apo më të mjerë?
Në një epokë teknologjie, konsumizmi dhe “luksit të shpejtë”, përgjigjja shpesh është më e hidhur se ç’mund ta pranojmë. Ne jetojmë mes komoditetesh, por gjithnjë e më të zbrazët shpirtërisht, më të izoluar emocionalisht, më të humbur në identitet. Pyetjet e Rousseau-së nuk kanë humbur asnjë gram aktualiteti. Ato janë pasqyra që ende na sfidon… çdo ditë… çdo mëngjes kur zgjohemi… çdo natë kur mbyllim sytë. Sepse liria, ndershmëria dhe lumturia… nuk janë dhurata të gatshme. Janë sfida. Janë zgjedhje. Janë luftë personale dhe kolektive. Ky reflektim, në kujtim të ditës së lindjes së një prej filozofëve më të mëdhenj të historisë, na fton të rimendojmë se kush jemi… dhe çfarë bote duam të lëmë pas.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit