Pyetjet që ende na djegin ndërgjegjen.

Ndaje

Një reflektim për kohën tonë që di shumë por kupton pak.

Ka pyetje që nuk vjetrohen kurrë por janë si pasqyra që, sa herë i sheh, të kthejnë sytë prapa, drejt vetes, drejt mënyrës si jeton, si mendon, si zgjedh. Jean-Jacques Rousseau, filozofi që dikur tronditi botën me idenë e tij se njeriu lind i mirë por deformohet nga shoqëria, duket sikur ka shkruar për ne, për këtë shekull, për këtë epokë të “ndriçuar” që s’di më ç’të bëjë me dritën sepse sot, më shumë se kurrë, jemi të rrethuar nga përgjigje por kemi harruar të bëjmë pyetje. Çfarë do të thotë të jesh i lirë? Në një kohë ku mund të thuash gjithçka por rrezikon të gjykohesh për gjithçka, kjo pyetje tingëllon më aktuale se kurrë. Ne postojmë me guxim por mendojmë me frikë. Ne flasim për liri por jetojmë me vargje të padukshme miratimesh, pëlqimesh dhe filtrash që na bëjnë të pranojmë rolin e versionit më të pranueshëm të vetes. Në një botë ku gjithçka është e dukshme, liria e brendshme është bërë më e fshehta. A është njeriu i mirë nga natyra por i korruptuar nga shoqëria? Sot, kjo nuk është më një dilemë filozofike por realiteti ynë i përditshëm. Shihni mënyrën si funksionon suksesi, shpesh jo me punë por me lidhje, jo me përpjekje por me fasadë. Fëmijët mësojnë të konkurrojnë që në çerdhe, të rriten për të qenë më të mirë se dikush tjetër,por jo më të ndershëm me veten. Shoqëria e sotme i shpërblen maskat më shumë se fytyrat e vërteta dhe në një klimë të tillë, të mbetesh njeri i mirë është një akt rebelimi. A na bën qytetërimi më të lumtur? Kemi rrjete sociale por mungesë lidhjesh reale.
Kemi teknologji që na kursen kohë por nuk dimë më ç’të bëjmë me kohën e lirë. Kemi fjalë që përhapen me shpejtësi por ndjenja që vdesin në heshtje. Në këtë qytetërim që mat gjithçka me efikasitet, lumturia ka mbetur një luks shpirtëror që nuk e blen dot as me “smartwatch” që mat rrahjet e zemrës, sepse zemra nuk rreh më nga gëzimi por nga ankthi. Pyetjet e Russo-së sot nuk janë teori por realitet. Janë të njëjtët dilema që i përjetojmë përmes çdo lajmi që na trondit për një padrejtësi, përmes çdo vendimi që marrim mes moralit dhe interesit, përmes çdo momenti që zgjedhim të heshtim kur duhet të flasim. Liria, ndershmëria dhe lumturia, tre fjalë të mëdha që në shoqërinë tonë shpesh përdoren si dekor për fjalime por jo si përmbajtje për jetën. Ne flasim për to por rrallë i jetojmë. Flasim për dashuri por më shumë duam miratim.Flasim për të drejtën por rrallë ngrihemi për të tjerët. Kjo është arsyeja pse filozofia e Rousseau-së është e domosdoshme sot jo si përkujtimore por si ilaç për shoqërinë e sëmurë nga sipërfaqësia. Sepse njeriu modern, me gjithë dijet, me gjithë aksesin e pafund në informacion, ka humbur diçka thelbësore, aftësinë për të ndjerë thellë, për të pyetur me sinqeritet, për të jetuar me ndershmëri. Në kohën kur kemi robotë që mendojnë por njerëz që harrojnë të ndiejnë, pyetjet e Rousseau-së nuk janë thjesht filozofi por rikthim tek vetvetja. Dhe ndoshta sot, më shumë se kurrë, filozofia nuk duhet të lexohet por të përjetohet. Sepse për të qenë i lirë, duhet ta kuptosh se çfarë të robëron.
Për të qenë i mirë, duhet ta pranosh se shoqëria shpesh të vë në provë dhe për të qenë i lumtur, duhet të mësosh të jesh në paqe me ndërgjegjen tënde jo me opinionin publik. Këto janë pyetjet që nuk duhen harruar.Janë pyetjet që ende na djegin ndërgjegjen dhe falë tyre, ende mund të shpëtojmë nga ftohtësia e botës sonë të re, duke ruajtur brenda nesh diçka të vjetër por të domosdoshme, njeriun.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit