Profesore me bollëk, ndershmëri intelektuale pak.

Ndaje

Sapo lexova një shprehje të Elona Caslli-it që më goditi menjëherë: “Profesore me bollëk, ndershmëri intelektuale kemi pak.” Kjo fjali e thjeshtë por e thellë, përmbledh një realitet të trishtë të ditëve tona. Në universitetet, konferencat e nfryshme, mediat, në gjithë administratën shtetërore dhe më gjërë duket se ka profesionistë dhe ekspertë me bollëk. Titujt, specializimet dhe botimet janë të shumta, njerëzit e respektojnë dhe i admirojnë por ndershmëria intelektuale, guximi për të pranuar kufijtë e dijes, respekti për të vërtetën dhe përkushtimi ndaj moralit është gjithmonë më e rrallë. Kjo nuk është thjesht një problem akademik. Njohuria pa ndershmëri bëhet instrument egoje, konkurrencë dhe shpesh manipulimi. Një profesor mund të dijë shumë por nëse nuk guxon të thotë “nuk e di” ose të pranojë gabimet e tij, ai nuk mëson vërtet dhe as nxënësit e tij nuk fitojnë. Një shoqëri mund të ketë ekspertë të pafund, por nëse ata nuk praktikojnë ndershmëri intelektuale, dijet mbeten vetëm dekor , bukuri pa përmbajtje.Shembujt janë të qartë në jetën e përditshme, individë me tituj dhe reputacion shpesh e përdorin dijen për të imponuar mendimin e tyre, për të fshehur të vërtetat e pakëndshme ose për të mbrojtur privilegjet personale. Ndërkohë, njerëz të thjeshtë, pa famë dhe pa tituj, tregojnë ndershmëri të pakompromis, guxim për të pranuar kufijtë e vetes dhe integritet në veprime. Këta janë shembujt e vërtetë të ndershmërisë intelektuale. Elona na kujton me një fjali të shkurtër diçka që shpesh e harrojmë, se dija pa ndershmëri është bosh. Ajo mund të shkëlqejë përkohësisht, mund të fitojë vëmendje dhe lavdërim, por nuk krijon kuptim të vërtetë, nuk ndihmon njerëzit dhe nuk ndërton shoqëri të drejtë. Profesorë me bollëk ka plot, por ndershmëri intelektuale duhet të kërkojmë tek vetja dhe tek ata që synojnë të udhëheqin. Vetëm ajo e bën dijen të vlefshme, veprimin të drejtë dhe shoqërinë të ndriçuar.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit