President, dëgjo zërin e ndërgjegjes qytetare

Ndaje

Në këto ditë të trazuara për mendimin publik, në një vend ku ligjet miratohen shpesh me nxitim dhe pa debat, është dëgjuar një thirrje që bie në shpirt:
“Mos e firmos, President!” Në pamje të parë, kjo mund të duket si një apel emocional, një reagim impulsiv ndaj një projektligji të radhës por në thelb të saj qëndron diçka më e madhe, një revoltë e qetë qytetare ndaj mënyrës se si politika po përpiqet të imponojë norma të reja morale, pa pyetur ndërgjegjen kolektive të shoqërisë.
Barazia gjinore është dhe duhet të mbetet një nga vlerat themelore të çdo shoqërie demokratike.Ajo është një drejtë e patjetërsueshme, që siguron respektin, dinjitetin dhe mundësinë e barabartë për çdo njeri. Por kur një ligj i tillë nis të përfshijë koncepte që dalin përtej fushës së drejtësisë shoqërore, kur nis të prekë mënyrën si duhet të mendojmë, si të jetojmë apo si t’u mësojmë fëmijëve konceptet e gjinisë dhe identitetit, atëherë ai kalon nga barazi në ideologji, nga emancipim në imponim.
Nëse një ligj e detyron shoqërinë të pranojë kategori që ajo nuk i ka përtypur ende, që bien ndesh me ndjeshmërinë kulturore, fetare dhe morale të njerëzve, atëherë ai rrezikon të kthehet në një mjet përçarjeje në vend që të jetë instrument bashkimi.
Në çdo vend të botës, modernizimi ka ecur në harmoni me kulturën dhe trashëgiminë. Shoqëritë që kanë ecur përpara pa u shkëputur nga rrënjët kanë qenë ato që kanë ruajtur ekuilibrin midis të resë dhe të vjetrës. Shqipëria, një vend me histori, fe dhe zakone të lashta, nuk mund të kopjojë verbërisht modelet e huaja të sjella si “paketa emancipuese”. Kur në emër të progresit kërkohet të relativizohen konceptet bazë të familjes, të burrit, të gruas, të fëmijës, atëherë ne nuk po flasim më për zhvillim por për shkëputje nga vetvetja. Në këtë kontekst, zëri i qytetarit, i prindit, i intelektualit, madje edhe i artistit si Avni Delvina, bëhet një zë paralajmërimi: “Mos e firmos, President! Sepse disa ligje mund të jenë moderne në letër por shkatërrimtare në shpirt.” Presidenti i Republikës nuk është thjesht një nënshkrues formal i akteve të Kuvendit. Kushtetuta i njeh atij një rol të veçantë , atë të garantit të unitetit kombëtar, të mbrojtësit të parimeve themelore mbi të cilat ngrihet shteti.
Në këtë kuptim, akti i mosfirmosjes nuk është kapriço politike, por shprehje e ndërgjegjes kushtetuese dhe morale. Ka momente në historinë e çdo kombi kur përgjegjësia e një njeriu bie më rëndë se çdo ligj. Momente kur nënshkrimi i një firme nuk është thjesht procedurë, por vulë që përcakton drejtimin moral të shoqërisë për dekada. Presidenti, në një rast të tillë, është i thirrur të dëgjojë jo zërin e partive, as presionet ndërkombëtare, por zërin e heshtur të shumicës së njerëzve që e duan vendin e tyre ashtu siç është, një vend i lirë por me dinjitet e rrënjë.
Nuk është turp të debatosh për ligje. Është turp të heshtësh kur e ndien se diçka po shkon gabim. Zëri i ndërgjegjes qytetare është ai që thotë: “Stop, reflektoni!”.
Ai nuk është kundër barazisë, por kërkon që ajo të mos shndërrohet në instrument për të fshirë dallimet natyrore dhe për t’i veshur njerëzit me uniformë mendimi.
Në një shoqëri që rrezikon të humbasë kufijtë moralë, çdo zë që ngrihet në mbrojtje të vlerave është një zë që mbron identitetin. Dhe ky identitet nuk është dogmë fetare apo politike , është shpirti i një kombi që ka mbijetuar shekujve duke ruajtur nderin, familjen dhe dinjitetin.
Ndaj Zoti President, Kur të shihni dosjen që mbart titullin “Barazia gjinore”, mos shihni vetëm nenet dhe paragrafët por përtej. Shihni debatin që nuk është bërë, pyetjet që nuk janë bërë, shqetësimet që njerëzit nuk kanë ku t’i thonë. Merrni në dorë lapsin e ndërgjegjes, jo stilolapsin e automatizmit. Mos lejoni që nënshkrimi juaj të bëhet simbol i një epoke që humbi orientimin moral në emër të një progresi të rremë. Dëgjoni zërin e ndërgjegjes qytetare, sepse ajo është e vetmja që nuk gënjen. Historia nuk do të mbajë mend çdo ligj që u miratua, por do të mbajë mend çdo rast kur dikush pati guximin të thoshte “Jo”. Dhe ndoshta, ndonjëherë, një mosfirmosje mund të jetë akti më i madh i përgjegjësisë kombëtare.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit