Përse lehin qentë? Sekretet emocionale dhe instiktet që fshihen pas një lehje.

Ndaje

Qentë lehin. Është një tingull aq i zakonshëm në jetën tonë sa shpesh nuk ndalemi kurrë të mendojmë përse ndodh. E konsiderojmë thjesht një reagim instinktiv, një zhurmë të bezdisshme në mes të natës apo një mënyrë mbrojtjeje. Por pas lehjes së një qeni fshihet një botë shumë më interesante,emocione, kujtesë, frikë, kureshtje dhe mënyra komplekse komunikimi.Shkencëtarët që studiojnë sjelljen e qenve shpjegojnë se lehja është një nga format më të zhvilluara të komunikimit te kafshët shtëpiake. Ndryshe nga ujqërit,paraardhësit e tyre që lehin shumë rrallë në natyrë, qentë kanë mësuar të përdorin lehjen si një “gjuhë” për të komunikuar me njerëzit. Në njëfarë mënyre, ata janë përshtatur me jetën tonë dhe kjo është magjepsëse. Qeni nuk leh vetëm për qentë e tjerë, por edhe për ne.Një nga arsyet kryesore pse qentë lehin është përballja me diçka të re. Një aromë e panjohur, një fytyrë e re, një objekt që nuk e kanë parë më parë, madje edhe një tingull i pazakontë dhe të gjitha këto aktivizojnë instinktin e vigjilencës. Për qenin, bota nuk kuptohet me logjikë si tek njeriu por përmes shqisave. Dhe shqisa më e fortë e tij është nuhatja.
Një qen mund të dallojë aroma deri në dhjetëra mijëra herë më mirë se njeriu. Kjo do të thotë se kur dikush hyn në një shtëpi, qeni “lexon” shumë më tepër sesa ne mund të imagjinojmë,aromën e rrugës, emocionet, kontaktet me kafshë të tjera, madje edhe gjendjen emocionale. Për këtë arsye, disa qen lehin menjëherë ndaj të huajve jo domosdoshmërisht sepse janë agresivë, por sepse truri i tyre po përpiqet të përpunojë një mori informacioni të ri. Interesante është edhe fakti se qentë nuk lehin njësoj për çdo situatë. Eksperimentet kanë treguar se lehja ndryshon sipas emocionit pasi ka lehje alarmi, lehje loje, lehje ankthi, lehje gëzimi dhe madje lehje mërzie. Pronari i një qeni, pas disa kohësh, arrin t’i dallojë pothuajse instinktivisht këto ndryshime. Është si të kuptosh tonin e zërit të një njeriu edhe pa dëgjuar fjalët.Por qentë nuk reagojnë vetëm ndaj botës së jashtme por edhe ndaj emocioneve tona. Studime të ndryshme kanë treguar se qentë mund të perceptojnë stresin, trishtimin apo tensionin tek njeriu. Kjo është arsyeja pse disa qen bëhen më të shqetësuar kur pronari është nervoz ose i mërzitur. Në njëfarë mënyre, ata “thithin” atmosferën emocionale të shtëpisë.Madje, ka edhe një aspekt tjetër interesant se qentë mund të lehin nga vetmia. Një qen që qëndron gjatë vetëm, pa stimulim dhe pa kontakt social, shpesh leh jo nga zemërimi, por nga nevoja për vëmendje. Për ta, izolimi është i vështirë, sepse janë kafshë sociale që kanë nevojë për lidhje dhe ndërveprim. E pra lehja e një qeni nuk është thjesht zhurmë por një formë komunikimi, një sinjal, një emocion i kthyer në tingull dhe ndoshta kjo është arsyeja pse marrëdhënia mes njeriut dhe qenit ka mbijetuar për mijëra vite,sepse edhe pa fjalë, kemi mësuar të kuptojmë njëri-tjetrin.Ndoshta qentë na kujtojnë diçka shumë njerëzore,se përballë të panjohurës, reagimi i parë është gjithmonë vigjilenca vetëm se ata nuk e fshehin.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit