Perlat e Nonës

Ndaje

Nëse më shihni ndonjëherë me ato perlat e vogla, të thjeshta dhe të bardha që më vijnë rreth qafës mos mendoni se janë thjesht një stoli. Ato janë kujtim. Ato janë amanet. Ato janë histori. Perlat e nonës time, zonjës Marie, nuk janë vetëm zbukurime. Janë copëza jete që më ndjekin në çdo hap. Janë zë i heshtur që më kujton se kush jam dhe nga vij. I përkasin një epoke tjetër, një elegance tjetër, një kohe kur dinjiteti nuk varej nga rrobat, por nga mënyra si rrije ulur, si flisje, si ecje, si e mbaje shikimin. Nona ime, Marie Xoxa edhe në vitet më të egra të komunizmit, kur titujt dhe gjurmët e origjinës përpiqeshin të fshiheshin, nuk reshti kurrë së qenë ajo që ishte,një zonjë aristokrate në shpirt, në sjellje, në mendim. E thërrisnin të gjithë “zonja Marie”, me një lloj droje dhe respekti që nuk kishte nevojë për asnjë dokument zyrtar për t’u justifikuar. Ajo vinte nga Xoxajt e Fierit, një familje me rrënjë të thella, me histori, me qytetari. E martuar me Doktor Mihal Caushi-n një figurë e nderuar dhe me autoritet , ajo ishte gjithnjë në rolin e shtyllës që mbante të lidhur gjithë atë botë të vjetër të kujtesës sonë kolektive, botën e tryezave të rregullta, të tabakave me ujë e kafe, të rrobave të pastra, të fjalisë së drejtë dhe të qëndrimit me dinjitet. Nuk ishte ajo gjyshja që të lexonte përralla. Nona ishte një udhërrëfyes pa përkëdheli. Na mësonte si të flisnim saktë. Si të rrinim ulur. Si të mbështesnim lugën pa zhurmë. Si të ngriheshim nga tryeza. Si të visheshim në mënyrë të hijshme. Si të silleshim si zonja, pavarësisht kushteve dhe kohës. Dhe mbi të gjitha, si të shkolloheshim, si të mos e tradhtonim kurrë mundësinë për t’u bërë më shumë nga ç’kishim trashëguar. Ishte e ashpër. Autoritare. Një grua që të mprehte, jo që të butësonte. Një model i asaj çfarë shumë sot e shohin si të largët, por që për mua është themeli i gjithçkaje. Sot, sa herë prek ato perla në qafën time, ndiej si më flet. Jo me zë. Por me gjithë peshën e brezave që më kanë paraprirë. Ajo nuk është më, por është kudo. Në emrin tim. Në gjestin tim. Në mënyrën si i drejtohem dikujt. Në faktin që nuk dorëzohem. Në bindjen që stili është mënyrë të jetuari, jo vetëm mënyrë të dukuri. Perlat e nonës janë më shumë se bizhu. Janë rregull, kujtesë dhe qëndresë. Dhe ndoshta, një ditë, djemtë e mi do ta shohin këtë varëse jo thjesht si një stoli, por si një kujtesë të gjallë të një gjysheje të jashtëzakonshme dhe të një trashëgimie që nuk duhet të shuhet.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit