Pedagog, çfarë gjurme po lë?

Ndaje

Çdo vit akademik nis me zhurmën e dyerve që hapen, me stolat që mbushen, me fytyra të reja që kërkojnë dije dhe orientim. Rinia që hyn në auditorë është plot shpresë, kuriozitet por edhe pasiguri e në atë hapësirë ku takohen dija dhe karakteri qëndron një figurë kyçe, pedagogu. Por në një kohë kur arsimi i lartë përballet me sfida të mëdha nga ulja e interesit tek mungesa e besimit pyetja që duhet bërë nuk është vetëm ku po shkojmë si sistem por më thjesht dhe më thellë se cfarë gjurme po lë unë si pedagog. A lë pas dije të qëndrueshme, nxitje për të menduar, kurajo për të pyetur? Apo lë pas frikë, pasiguri dhe një zë të brendshëm që thotë se ky vend nuk është për mua? Sepse në të vërtetë, studenti nuk largohet nga mungesa e librave por nga mungesa e vëmendjes, nga mungesa e drejtësisë, nga mungesa e respektit. Auditorët nuk boshatisen për arsye statistikore por për arsye njerëzore. Kur pedagogu nuk është i përgatitur, i pranishëm, i kujdesshëm në komunikim, ai nuk dëmton vetëm reputacionin e vet por edhe të gjithë institucionin që përfaqëson. E di që për disa ky reflektim nuk do të pritet mirë.E kuptoj që mund të lexohet me mospëlqim apo keqkuptim por këtë shkrim po e shkruaj me shumë elegancë, pa fyerje dhe pa gjykim por me bindjen se vetëm përmes ndërgjegjësimit të ndershëm mund të rikthejmë besimin te universiteti. Sepse në fund të ditës, pasqyra më e qartë e një universiteti janë pedagogët e tij. Jo zyrat, laboratorët apo faqet e internetit por sjellja, qëndrimi, përkushtimi dhe etika e atij që flet përballë studentëve çdo ditë. Ndaj kjo nuk është një kritikë por një thirrje e fortë për një etikë të lartë profesionale. Për më shumë përulësi dhe më pak arrogancë. Për më shumë përgatitje dhe dinjitet në mësimdhënie sepse ai kthehet në dinjitet institucional. Të qënit pedagog nuk është vetëm profesion por ndikim, përgjegjësi, prani.Është mënyra si një profesor do të kujtohet nga një student pas 10 vitesh me mirënjohje apo me zhgënjim. Një pyetje që secili duhet t’ia bëjë vetes në mënyrë të ndershme, a jam unë një arsye pse një student vendos të besojë më shumë te vetja apo një arsye pse e humb besimin te sistemi? Sepse në fund, pedagogët nuk do të kujtohen për PowerPoint-et apo numrin e botimeve por për mënyrën si i bënë studentët të ndihen. Dhe gjurma që lë një njeri, është më e thellë se çdo gradë që mund të mbajë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit