Unë jam nënë. Dhe sot më dhemb zemra kur shoh pamjet e një djali të ri që dhunohet në mes të një lokali në qytetin tim. Jo një djalë i panjohur. Por një djalë që e kam njohur nga afër. Aroni ka qenë nxënësi im këtë vit, në lëndën e filozofisë. I sjellshëm, i edukuar, me etikë dhe vlera që rrallë shihen sot tek të rinjtë. I heshtur, por i qartë. I përulur, por i vendosur. Punon kamarier. Si shumë gjimnazistë në Shqipëri. Jo sepse e detyron familja. Jo sepse prindërit s’kanë mundësi. Por sepse puna është edukim. Sepse ka të rinj që duan të provojnë përgjegjësinë, që nuk i tremben lodhjes, që zgjedhin të rriten me ndershmëri dhe përvojë. Edhe djali im punon. Dhe kjo më bën ta shoh Aronin me një sy akoma më të ndjeshëm. E shoh shpesh në mëngjes, tek “Regina”, ku më shërben kafenë me përkushtim. Me qetësi. Me sjellje të rrallë. Dhe çdo herë më forcohet bindja se ky vend nuk është i humbur. Ka ende shpresë. Sepse ka ende të rinj si Aroni Por çfarë bëmë ne për këtë djalë? Sepse solli një shishe ujë më shumë në një tavolinë, u rrah brutalisht në sy të klientëve. Në një lokal në zemër të Vlorës. Në kulmin e sezonit turistik, kur vendi ynë përpiqet të tregojë mikpritje, e përfundon duke prodhuar frikë. Si është e mundur? A kanë ndjesi njerëzore këta njerëz? A kanë fëmijë që punojnë, që lodhen, që gabojnë? Por edhe nëse një kamarier gabon në porosi, grushti nuk është zgjidhje. Kërcënimi nuk është mënyra për të “korrigjuar”.Dhuna nuk është asnjëherë gjuhë që shpjegon , është thjesht forcë që shkatërron. Unë nuk po flas vetëm si nënë. Po flas si qytetare. Po flas si njeri që ka parë me sytë e vet se sa shumë të rinj përpiqen të ecin drejt, në një vend ku shpesh nuk i mbron askush. Dhe ky shkrim nuk është vetëm një thirrje për drejtësi. Është një apel për ndërgjegje. Sepse ky djalë nuk është “vetëm një kamarier”. Ai është në punë siç je edhe ti në punë. Ai është fëmija i dikujt. Ai është nxënësi i një mësueseje. Ai është qytetari i këtij vendi. Nuk ka asnjë arsye, asnjë justifikim, asnjë kontekst që legjitimon dhunën. As më të “fortëve”, as atyre me uniformë, e as atyre që mendojnë se shërbimi u jep të drejtë për të përçmuar. Ndaj apeli im shkon për ne si shoqëri. Të mos normalizojmë këtë nivel brutaliteti. As sot. As nesër. Sepse sot është Aroni. Nesër mund të jetë djali yt. Sot ishte një shishe ujë. Nesër mund të jetë një fjalë e thënë gabim. Një hezitim. Një keqkuptim. Dhe nëse për çdo “gabim” përgjigja është dhunë, atëherë nuk jemi më shoqëri. Jemi xhungël. Sepse ai që të shërben, nuk është më pak se ty. Ai është një qytetar. Dhe ne ia kemi borxh mbrojtjen.
