Një oaz pastërtie në mes të pluhurit Mësimi që na jep çdo ditë Turi

Ndaje

Çdo qytet ka copëza të vogla që të japin ndjesinë se gjithçka mund të jetë më mirë. Në Vlorë, një nga ato vende të veçanta për shpirtin dhe mendjen është kopshti përpara Xhamisë së qytetit. Çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, kur shumëkush kalon aty, ndjen një qetësi të veçantë. Gjelbërimi është i freskët, bari i lagur, trotuari i pastër. Një oaz qetësie, hijeshie dhe pastërtie. Pas gjithë kësaj qëndron një njeri, Turi. Jo vetëm një punëtor i palodhur, por edhe një besimtar i devotshëm, që me përkushtimin e tij të heshtur dhe shpirtin e tij të pasur me vlera, kujdeset me përkushtim për këtë monument historik dhe fetar të qytetit. Me fshesën në dorë, kovat me ujë dhe durimin e përditshëm, ai është bërë kujdestari i kësaj hapësire, një shembull i gjallë se si dashuria për punën, për qytetin dhe për besimin mund të sjellë ndryshim. Por, vlen të theksohet se ky oaz relaksues është edhe rezultat i përkujdesjes dhe investimit të besimtarëve muslimanë të qytetit, të cilët me kontributet e tyre kanë krijuar këtë hapësirë të bukur dhe të gjelbëruar, si një shërbim ndaj komunitetit dhe qytetit. Por, mjafton të hedhësh sytë disa metra më tej… dhe tabloja ndryshon. Pluhur që grumbullohet dita-ditës, lule të thara që askush nuk i ujit, shkurre të shndërruara në grumbuj të parregullt të papastërtive, trotuare të lënë pas dore. Madje, edhe kafshët e vogla endacake, që herë pas here i shohim të ngordhura e të mbuluara me pleshta, janë dëshmi e një realiteti të trishtë që nuk mund të fshihet më. Ky kontrast i fortë midis një oazi të pastër dhe një qyteti të pluhurosur është pasqyrë e asaj që na mungon,përkushtimi i përditshëm, përgjegjësia dhe kujdesi i përbashkët për hapësirat publike. A është vallë kaq e vështirë të kemi më shumë njerëz si Turi në qytetin tonë? A është kaq e pamundur të krijohet një ekip i qëndrueshëm për mirëmbajtjen dhe pastrimin e gjithë qytetit? Vlora jeton me turizmin, me vizitorët që vijnë për të parë detin, historinë dhe kulturën tonë. Por askush nuk vjen të shijojë pluhurin dhe papastërtinë, ndaj ky shkrim është një apel i hapur për autoritetet vendore. Sepse Vlora e meriton të jetë një qytet i pastër… nga fillimi në fund… jo vetëm në një cep të vogël përpara Xhamisë. Sepse në fund të fundit… një qytet i bukur nuk është luks. Është një e drejtë. Dhe është pasqyra jonë më e mirë përballë çdo vizitori dhe çdo qytetari që këtu ka zgjedhur të jetojë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit