Një libër për rrugëtimin e brendshëm

Ndaje

Këtë vit, dhurata ime për Markon nuk ishte thjesht një libër por një udhëtim i heshtur drejt thellësive të shpirtit njerëzor.
“Krim dhe Ndëshkim” i Dostojevskit nuk është vetëm një roman për një vrasje dhe pasojat e saj, por një pasqyrë e ndërgjegjes, një studim mbi krimin, fajin, pendimin dhe mundësinë e shpengimit.
Për një të ri 17-vjeçar, në prag të përfundimit të maturës dhe vendimeve të mëdha të jetës, ky libër është një ftesë për tu ndalur,reflektuar dhe kuptuar se çdo veprim ka peshën e tij. Personazhi kryesor, Raskolnikov, është një njeri i zgjuar, ambicioz, që mendon se ligjet morale janë të ndryshme për “të zgjedhurit”. Ai e sfidon shoqërinë dhe moralin, duke besuar se qëllimi i tij justifikon çdo veprim. Por Dostojevski na tregon se mendja e shkathët nuk mjafton dhe se ndërgjegjja dhe zemra janë forca më të fuqishme.
Shpesh herë faji nuk mund të shmanget dhe shpëtimi vjen vetëm përmes përballjes me vetveten dhe pendimit të sinqertë. Për një adoleshent, mes rrëmujës së emocioneve, pritshmërive dhe identitetit në formim, ky libër është më shumë se histori, është një udhërrëfyes për të kuptuar veten. Ai tregon se zgjuarsia pa ndershmëri mund të të çojë në rrugë të rrezikshme, dhe se fuqia e vërtetë nuk është të sfidosh ligjet ose moralin, por të përballesh me pasojat e zgjedhjeve të tua. Për çdo të ri në këtë moshë, leximi i këtij libri i mëson se veprimet kanë pasoja, edhe kur nuk duket. Se morali lind brenda nesh dhe duhet të dëgjohet, se përgjegjësia dhe ndërgjegjja janë pjesë e pjekurisë dhe nuk mund t’i shmangësh, se vetë-reflektimi është rruga drejt rritjes dhe pjekurisë. Prandaj, kur i dhurova Markos këtë libër, këtë vit të Ri , nuk ishte thjesht për të lexuar një histori dramatike por një ftesë për të menduar, për t’u ndalur dhe për të pyetur veten për të gjitha ato zgjedhje që do t’i duhet t’i bëjë në rrugën drejt jetës. Është dhurata e një pasqyre, ku çdo lexues mund të shohë brenda vetes dhe të kuptojë se rruga drejt maturisë është e lidhur ngushtë me ndërgjegjen dhe reflektimin.
Për ta mbyllur, “Krim dhe Ndëshkim “ nuk është thjesht një libër për Markon por një udhëzim jetësor për çdo të ri, një kujtesë se mendimi i thellë, reflektimi dhe ndershmëria e brendshme janë armatimi më i fuqishëm që mund të marrësh përpara çdo sfide dhe kjo, është dhurata më e madhe që një libër mund t’i bëjë një adoleshenti, aftësinë për të menduar dhe për të kuptuar veten.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit