Kam qenë pjesë e shumë konferencave me tema nga media, sociologjia apo bibliotekonomia , fusha që më janë të afërta, të dashura, të përditshme. Por këtë herë, ishte ndryshe. Ishte hera e parë që mora pjesë në një Konferencë Ndërkombëtare të Shëndetit. Dhe për çudi, nuk hezitova asnjë çast. Tema më intrigoi që në leximin e parë:”Epidemitë e heshtura të sëmundjeve jo të transmetueshme.” Nga ato epidemi që nuk përhapen përmes prekjes apo ajrit është stresi, një ndër më tinëzaret. Ai vjen pa trokitur, jeton brenda nesh në heshtje, lodh mendjen, dobëson trupin, fsheh emocione e ndërpret ëndrra. Dhe tek të rinjtë, tek studentët tanë, stresi nuk është thjesht një fazë kalimtare por një sfidë reale, e vazhdueshme, e thellë. Në këtë konferencë të mbajtur sot, me 31 maj 2025, e organizuar me përkushtim nga Fakulteti i Shëndetit në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, pata kënaqësinë të jem pjesëmarrëse me një prezantim mbi stresin e studentëve gjatë viteve të studimeve universitare, duke hedhur dritë mbi ndikimin e tij në performancën akademike, shëndetin mendor dhe jetën e përditshme të të rinjve. Si përgjegjëse e Laboratorit Mediatik të Universitetit të Vlorës, ndava me pjesëmarrësit mënyrat konkrete se si kjo hapësirë funksionon si platformë ndërdisiplinore për ndërgjegjësim, vetëshprehje dhe shërim. Qoftë përmes podkasteve ku flitet hapur për çështje të ndjeshme si ankthi, qoftë përmes forumeve ku studentët gjejnë guximin të tregojnë historitë e tyre, media bëhet një urë nga izolimi drejt zërit, nga ngërçi drejt vetëdijes. Konferenca solli një atmosferë frymëzuese, ku studentët ishin jo vetëm pjesëmarrës, por kontribuues aktivë, të pranishëm me pyetje, ide dhe prezantime kuptimplota. Profesionistë të shëndetit, akademikë dhe të rinj krijuan së bashku një mozaik perspektivash që fliste qartë. Epidemitë e heshtura nuk janë më të padukshme kur flasim për to. E veçanta e kësaj konference ishte se përkoi me Ditën Botërore të Sklerozës Multiple, duke thelluar ndjeshmërinë ndaj vuajtjeve të brendshme, atyre që nuk i sheh syri, por i përjeton trupi e shpirti çdo ditë. Ishte një përkim simbolik, por shumë domethënës, jo çdo dhimbje është e dukshme, por çdo dhimbje meriton kujdes. Dua të pergezoj organizatorët e Fakultetit të Shëndetit për këtë përvojë të rrallë dhe me vlerë. Konferenca më pasuroi jo vetëm si gazetare por edhe si njeri që beson se shëndeti mendor është themel i çdo suksesi, dhe se media mund të jetë mjet për shërim, jo vetëm për informacion. Ishte një hap i vogël për të marrë pjesë, por një hap i madh drejt ndërgjegjësimit tim personal dhe profesional. Dhe nuk do të jetë i fundit.
