Në muajt e fundit, shoqëria shqiptare po përballet me një realitet gjithnjë e më tronditës, ku dhuna mes fëmijëve dhe adoleshentëve ka arritur nivele alarmante, duke u shndërruar në tragjedi që prekin drejtpërdrejt jetën dhe të ardhmen e brezit të ri. Raste të përsëritura të nxënësve që mbajnë thika dhe përdorin dhunën si mjet zgjidhjeje konfliktesh kanë sjellë pasoja fatale. Vetëm një muaj më parë, një 15-vjeçar humbi jetën në Tiranë, ndërsa raste të tjera të rënda janë shënuar së fundmi në Vlorë dhe Shkodër. Këto ngjarje nuk janë më incidente të izoluara por sinjale të qarta se diçka po shkon seriozisht keq në sistemin tonë shoqëror dhe arsimor. Shkolla, e cila duhet të jetë vend sigurie, edukimi dhe formimi moral, po shndërrohet për shumë fëmijë në një hapësirë frike, presioni dhe konflikti të heshtur. Mungesa e mbështetjes psikologjike reale, neglizhimi i shenjave të hershme të agresivitetit, bullizmi i patrajtuar dhe mungesa e mekanizmave të qartë për parandalimin e dhunës kanë krijuar një terren ku konfliktet përshkallëzohen deri në pasoja të pakthyeshme.
Shpesh problemet nënvlerësohen ose mbulohen, derisa është tepër vonë për të ndërhyrë.
Nga ana tjetër, shumë prindër, të përballur me vështirësi ekonomike dhe ritmin e shpejtë të jetës, nuk arrijnë të jenë mjaftueshëm të pranishëm në botën emocionale të fëmijëve të tyre. Mungesa e dialogut, mosdëgjimi apo mosvëmendja ndaj ndryshimeve në sjellje si izolimi, nervozizmi apo agresiviteti, bën që fëmijët të rriten pa orientim dhe pa mbështetje emocionale. Në vend të bisedës dhe edukimit familjar, ata formohen nga rrjetet sociale, nga dhuna virtuale dhe nga modele që normalizojnë agresivitetin dhe mungesën e empatisë. Edhe institucionet arsimore dhe drejtoritë përgjegjëse mbajnë një përgjegjësi të madhe, pasi reagimi pas tragjedive nuk mjafton më. Parandalimi duhet të jetë prioritet, përmes kontrolleve reale të sigurisë në shkolla, pranisë aktive të psikologëve, trajnimit të mësuesve për menaxhimin e konflikteve dhe ndërtimit të një bashkëpunimi të vazhdueshëm me prindërit. Heshtja institucionale dhe mungesa e veprimit vetëm sa e përkeqësojnë situatën.
Dhuna nuk lind brenda një dite dhe asnjë fëmijë nuk zgjohet me dëshirën për të lënduar apo për të vrarë. Ajo është rezultat i problemeve të grumbulluara, i mungesës së edukimit emocional, i shembujve të gabuar në familje dhe shoqëri, si dhe i një sistemi që shpesh mbyll sytë përballë sinjaleve paralajmëruese. Çdo akt dhune është një thirrje për reflektim dhe veprim të menjëhershëm. Çdo fëmijë i humbur është një dështim i përbashkët i shkollës, i familjes, i institucioneve dhe i shoqërisë në tërësi. Heshtja dhe neglizhenca sot prodhojnë tragjedi ndaj është koha që të gjithë të marrim përgjegjësitë tona dhe të veprojmë me seriozitet, përpara se një tjetër emër i ri t’i shtohet listës së jetëve të humbura pa të drejtë.
Ndaje
