Nga Vlora në New York Rrëfimi i Bruna Shaqiraj,studentes që u rrit brenda mureve të Universitetit të Vlorës

Ndaje

Ka histori që nuk kanë nevojë për shumë fjalë që të prekin zemrën por vec mjafton t’i dëgjosh dhe e kupton se je përballë diçkaje të rrallë, autentike dhe thellësisht frymëzuese.
Dhe historia e ish studentes ekselente të Shkencave Kompjuterike Bruna Shaqiraj, e ftuara e parë në sezonin e ri të podcastit Univlora është një nga ato histori që të ndal frymën. Bruna, një vajzë e thjeshtë qyteti që vendosi të studionte shkenca kompjuterike në Universitetin e Vlorës
sot jeton dhe punon në New York, si inxhiniere në një prej kompanive teknologjike më dinamike dhe sfiduese të botës. “Zgjodha Universitetin e Vlorës sepse besoja se aty do të merrja jo vetëm dije, por edhe drejtim. Nuk doja thjesht një diplomë , doja një themel të fortë dhe aty e gjeta.” kështu e nisi rrëfimin e saj Bruna. Auditorët e Universitetit të Vlorës ishin për të më shumë se klasa. Ato u kthyen në hapësira rritjeje, sfidimi dhe formimi. Me një staf akademik të përkushtuar, që punonte me pasion dhe profesionalizëm, Bruna nuk mësoi vetëm informatizimin por të mendojë në mënyrë kritike, të zgjidhë probleme dhe të shohë botën si një mundësi dhe jo si kufizim. “Kam pasur fatin të më japin mësim pedagogë që jo vetëm të frymëzojnë por që të mbajnë dorën kur s’e di si të ecësh përpara. Më kujtohen orët e gjata në laboratorë, diskutimet e zjarrta pas leksioneve, ndihma që i jepnim njëri-tjetrit si studentë. Ishte një atmosferë që të nxiste të bëheshe më i mirë çdo ditë.” Gjatë studimeve, Bruna fitoi një nga mundësitë më të rëndësishme që ofron Universiteti i Vlorës, bursa Erasmus+. Për disa muaj, ajo studoi në një universitet partner në Stamboll duke jetuar për herë të parë në një vend tjetër, me një kulturë krejt të re dhe një sistem arsimor të ndryshëm. “Ishte një përvojë transformuese. U njoha me studentë nga gjithë Evropa, mësova të përshtatem, të kuptoj vlera të tjera por mbi të gjitha m’u forcuan edhe më shumë rrënjët. E kuptova që edhe në një auditor në Turqi ajo që kisha marrë nga Universiteti i Vlorës nuk më linte pas. Përkundrazi , më dallonte.” E pra, kjo përvojë e përgatiti jo vetëm profesionalisht por i dha edhe kurajën për të ëndërruar më larg. Ndaj pas diplomimit, Bruna mori një vendim të guximshëm, të nisej drejt Shteteve të Bashkuara. Fillimi ishte i ashpër, me shumë sfida, pasiguri dhe netë pa gjumë por nuk u dorëzua. “Kam kaluar vite të vështira, shprehet , si çdo emigrant që nis nga zero. Por ajo që më mbajti ishte besimi te vetja dhe gjithcka që kisha marrë me vete nga Universiteti i Vlorës. E dija që isha e përgatitur. E dija që e meritoja të isha aty.” Dhe sot ajo është pjesë e një ekipi ndërkombëtar si inxhiniere informatike, duke përdorur dijet dhe përvojën e saj për të zgjidhur probleme reale në projekte që prekin mijëra njerëz. Vazhdoj ta ndjek Universitetin e Vlorës dhe jam krenare shprehet Bruna gjatë intervistës dhe pavarësisht distancës ajo nuk është shkëputur kurrë nga Universiteti i Vlorës. Përkundrazi, ajo e ndjek me krenari çdo zhvillim, çdo projekt të ri, çdo hap që institucioni hedh për të ecur me kohën. “Univlora ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë. Kur shoh bashkëpunimet ndërkombëtare, laboratorët e rinj, nismat për inovacion, ftesat për konkurse, jam krenare. Ky është universiteti që më rriti. Dhe po, unë sot jetoj në New York, por gjithmonë them se kam studiuar në Universitetin e Vlorës, një universitet që të formon për botën.” Bruna beson se inteligjenca artificiale është e ardhmja dhe se çdo student shqiptar duhet të përqafojë këtë valë. “Teknologjitë e reja po ndryshojnë mënyrën si punojmë, si mendojmë, madje si komunikojmë. Por një gjë nuk ndryshon, vlera e një arsimi të mirë. Dhe kjo, në Universitetin e Vlorës, ka qenë gjithmonë e pranishme.” E nëse do t’i flisja vetes time si dikur , studente në vitin e parë, do t’i thoja
“ Mos u frikëso nga ëndrrat e mëdha. Sepse do t’i arrish.’” Kjo është Bruna. Një vajzë që e nisi me një kompjuter, një indeks studentor në xhep dhe një ëndërr në zemër dhe sot frymëzon një brez të tërë.
Ajo nuk harron kurrë të thotë me mirënjohje se Universiteti i Vlorës nuk është thjesht një zgjedhje por një privilegj Ky institucion nuk është thjesht një universitet por një portë drejt botës, një urë mes ëndrrave dhe realitetit, një shtëpi ku formohet brezi i ri i profesionistëve që nesër do të udhëheqin tregun global. Universiteti i Vlorës nuk është alternativë por zgjedhje me zemër dhe mendje.
Dhe ish studentja ekselente e Univlora Bruna Shaqiraj është një nga shumë shembuj që e dëshmojnë këtë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit