Në hijen e flakëve Zjarrfikësit e Vlorës dhe thirrja për ndërgjegje Në një qytet si Vlora, ku dielli ndizet mbi det çdo mëngjes dhe fasadat rishkëlqejnë në ritmin e sezonit turistik, ka njerëz që nuk shfaqen në broshura, por që qëndrojnë në vijën e parë të përballjes me rrezikun. Janë ata që hyjnë në tym pa kamera dhe dalin të heshtur, me fytyrën e djersitur nga përpjekja, zjarrfikësit.
Prej vitesh, shërbimi zjarrfikës në Vlorë përballon sfida të mëdha, të mëdha sa zjarret që shpërthejnë në kodrat e nxehta të qershorit apo në periferitë urbane që mbeten shpesh jashtë vëmendjes. Por sfida më e madhe nuk janë flakët. Është mungesa.
Zjarret moderne nuk shuhen më vetëm me guxim. Nevojiten mjete, pompa të fuqishme, pajisje mbrojtëse të certifikuara, automjete të mirëmbajtura. Sot, zjarrfikësit e Vlorës shpesh përballen me rrezikun me mjete të amortizuara, me veshje të konsumuara dhe pa teknologji moderne që t’u lehtësojë punën. Kur flakët janë të larta, forca e tyre nuk mjafton, por gjithsesi ata janë aty, të pranishëm. Punojnë në ditë festash, punojnë natën, kalojnë orë të tëra në gatishmëri. Por përtej angazhimit, orët shtesë shpesh mbeten thjesht një angazhim moral, pa pasur një vlerësim konkret financiar. Dhe megjithatë, asnjëherë nuk ankohen. E mbajnë këtë barrë me krenari dhe heshtje. Zjarrfikësit nuk janë pastrues rrugësh. As transportues uji. As ndihmës për çdo emergjencë që shfaqet. Por realiteti është ndryshe. Për shkak të mungesës së strukturave të tjera, ata angazhohen shpesh here për detyra që nuk kanë lidhje me profesionin e tyre, nga larja e rrugëve pas ndonjë aksidenti, deri te shpërndarja e ujit në zona ku mungon rrjeti. Zjarrfikësit nuk refuzojnë, sepse janë në shërbim, por gjithnjë e më shumë ndihen të ngarkuar padrejtësisht. Profesioni i zjarrfikësit është një nga më të rrezikshmit dhe pikërisht për këtë arsye, kërkon trajnim të vazhdueshëm, mjete të sigurta dhe një mbështetje që shkon përtej fjalëve. Në çdo qytet që respekton jetën, ata që e mbrojnë duhet të kenë kushte dinjitoze për ta bërë këtë mision. Ky shkrim nuk është një kritikë. Nuk është as një akuzë. Është një thirrje. Një apel qytetar për të parë më me vëmendje njerëzit që shpesh ne i marrim të mirëqenë derisa të kemi nevojë për ta. Le të kujtojmë se zjarrfikësi është aty kur ne ikim. Ai hyn në flakë kur të tjerët presin. Ai guxon, edhe kur nuk ka garanci. Ai nuk pyet për orar, për pagë apo për dritë kamerash. Thjesht niset. Sepse kështu e ndjen detyrën.
Prandaj është koha të reflektojmë:
• A i kemi dhënë atyre mjetet që meritojnë?
• A i kemi paguar për orët që na shpëtuan?
• A i kemi mbrojtur ata që na mbrojnë?
Nëse duam një Vlorë të sigurt, të bukur, turistike, elitare dhe humane, duhet të kujdesemi për ata që e ruajnë këtë siguri.
Sepse nderi i një qyteti nuk matet me fasada por me ata që guxojnë të hyjnë në flakë për ne të gjithë.
