Në Gaza nuk numërohen më yjet por varret e fëmijëve

Ndaje

Unë nuk jam politikane. As diplomate. Jam thjesht nënë. Një nënë që nuk mund të rrijë e qetë kur lexon se 17 mijë fëmijë janë vrarë në Gaza. Jo të plagosur. Jo të zhdukur. Të vrarë. UNICEF raportoi në Kombet e Bashkuara se 28 fëmijë vriten çdo ditë, prej 21 muajsh. E kam lexuar këtë shifër tri herë, sepse truri im nuk e pranon. Zemra më pulson fort. 28 fëmijë. Çdo ditë. Në një botë që ka traktate, konventa, organizata, deklarata të të drejtave të njeriut , fëmijët po bien një nga një dhe bota hesht. Unë nuk dua të jem pjesë e asaj heshtjeje. Sepse kjo nuk është më luftë. Kjo është shfarosje e pafajësisë. Unë e shoh fotografinë e një babai që mban trupin e pajetë të vajzës së tij të vogël. Dhe përpiqem ta imagjinoj veten në vendin e tij. S’mundem. Nuk dua. Më dridhet zemra vetëm nga mendimi. E ndërkohë, disa mbyllin ekranin. Disa thonë “është e ndërlikuar”. Disa e quajnë “kolateral”. A ka ndonjë justifikim në botë për 17 mijë fëmijë të vdekur? Unë e di që fjala ime nuk ndal raketat. Nuk ringjall asnjë vogëlush. Por e di edhe që heshtja ime më bën bashkëfajtor. Ndaj po e them nëpërmjet fjalëve të mia. Ky është krim. Krim ndaj njerëzimit. Krim ndaj fëmijërisë. Krim ndaj çdo gjëje që quajmë moral, drejtësi apo Zot. Fëmijët nuk janë armiq. Nuk janë ushtarë. Nuk janë objektiva. Ata janë fëmijë. Dhe ata po vriten para syve tanë. Unë nuk dua që një ditë brezi im të kujtohet si brezi që pa një genocid të ndodhte në kohë reale dhe nuk tha asgjë. Nuk dua që heshtja ime të peshojë mbi ndërgjegjen time. Nuk dua që fjalët “kurrë më” të jenë një gënjeshtër tjetër historike. Ndaj sot po flas me mënyrën e vetmebqë kam në dorë të bëj, të shkruaj . Sepse 17 mijë fëmijë të vrarë nuk janë thjesht shifër. Janë një klithmë që i bie ndërgjegjes së botës. Dhe nëse kjo ndërgjegje nuk zgjohet ne të gjithë do të jemi të humburit e saj. Por një ditë, ajo që po ndodh në Gaza do të jetë faqe historie. Dhe ne do të jemi ose në rreshtin e atyre që folën ose në listën e atyre që heshtën. Fëmijët nuk kanë faj. Nuk kanë kufij. Nuk kanë flamuj. Ata kanë vetëm ëndrra. Dhe sot, ato ëndrra po zvarriten nën rrënoja. Po digjen me trupat e tyre të vegjël. Po vdesin para se të mund të jetojnë. Në Gaza, nuk ka më pyetje për politikë. Ka vetëm një pyetje për ndërgjegjen tënde. A do të jesh nënë, apo spektatore e vdekjes së fëmijëve? Në Gaza nuk numërohen më yjet sepse fëmijët që duhet t’i sodisnin, janë tashmë nën tokë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit