Dhe pak ditë kanë mbetur deri në mbylljen zyrtare të vitit shkollor , një periudhë që për shumë fëmijë do të duhej të mbyllej me krenari, qetësi dhe frymë pozitive. Por për një klasë , kujtimi i këtij viti nuk do të jetë i tillë. Do të jetë i lidhur me një plagë të hapur në zemër të arsimit, historia e trishtë e një mësueseje në pension, që e mbuloi paaftësinë me manipulim dhe e zëvendësoi edukimin me intrigë. Një mësuese që, megjithëse zyrtarisht ka dalë nga sistemi, vijon të ushtrojë ndikim të dëmshëm në mjedisin shkollor. Në vend që të tërhiqej me dinjitet, ajo zgjodhi rrugën e zakonshme për të,kontrolli përmes nxitjes, ndasive, manipulimit dhe mbështetjes nga disa prindër që s’e kuptojnë rolin e tyre, ose që kanë zgjedhur të mos duan ta kuptojnë. Kjo mësuese , figurë e vjetër e sistemit nuk është më shembull i përvojës, por model i dështimit të heshtur. E paaftë për të përqafuar metodat moderne të mësimdhënies, ajo përdor armën e vetme që ka në dorë, përçarjen. Nuk ofron dije. Nuk krijon bashkëpunim. Ajo ndërton aleanca të heshtura, mbjell mosbesim dhe udhëheq nga hija. Fëmijët, të ndikuar nga prania e saj, janë lehtësisht të manipulueshëm. Ata ndihen të autorizuar të përdorin gjuhë fyese, të ngrihen kundër mësuesve të përkushtuar.Mësuesja në pension buzëqesh në prapaskenë, ndërsa mësues të ndershëm denigrohen, bullizohen dhe sulmohen publikisht. Edhe më i dhimbshëm është roli i disa prindërve, të cilët, në vend që të mbështesin mësuesit dhe rregullin, bëhen bashkëpunëtorë aktivë të kësaj maskarade morale. Ata ndjekin shembullin e një figure që nuk përfaqëson më arsimin, dhe kërkojnë me çdo kusht largimin e një mësueseje të ndershme thjesht sepse ajo punon me korrektësi, me etikë dhe pa kompromise. Ata organizojnë peticione të turpshme. Përdorin fjalor denigrues. Justifikojnë çdo sjellje të keqe të fëmijëve të tyre. Disa e përdorin pagesën për shkollim si argument për të bërë presion, për të zgjedhur mësues sipas tekës së tyre, për të kërkuar përjashtimin e kujtdo që nuk i shërben interesave personale. Por kjo nuk është arsim. Kjo është një farsë. Kur prindërit bashkëpunojnë në përçmimin e një mësueseje të përkushtuar, kur i mësojnë fëmijët se autoriteti mund të thyhet me thashetheme dhe trysni, kur heshtin përballë gjuhës së urrejtjes që vlon brenda klasës, atëherë ne si shoqëri kemi dështuar. Dhe këtë dështim, nuk do ta mbulojë heshtja institucionale. Kjo mësuese nuk është thjesht një figurë e së kaluarës. Ajo është një rrezik aktiv për etikën, moralin dhe frymën e një shkolle. Është koha që të vendoset përballë instancave përkatëse dhe të japë llogari:
• Për kaosin që la pas në klasën e saj kujdestare;
• Për gjuhën fyese që u bë normë;
• Për fëmijët që e ndjejnë veten të paprekshëm për shkak të saj;
• Për përfshirjen e prindërve në një rrjet trysnie dhe manipulimi;
• Për zhytjen e një mjedisi edukativ në klimë toksike.
Fundi i një viti duhet të jetë fillim i një reflektimi
Dhe kjo ngjarje nuk duhet të mbyllet me vitin shkollor. Duhet të jetë pikënisje e reformimit të moralit në shkollë. Duhet të nxjerrë në pah të vërtetat që shumë i kanë fshehur dhe të ndëshkojë ata që, në vend të edukimit, zgjodhën kontrollin me çdo mjet. Prindërit që bashkëpunuan në këtë teatër të turpit, duhet të reflektojnë. Institucionet që heshtën, duhet të reagojnë. Dhe ajo , mësuesja pensioniste duhet të largohet përfundimisht nga çdo kontakt me procesin mësimor dhe të japë llogari për dëmin e shkaktuar. Fëmijët meritojnë më shumë. Ata meritojnë mësues që i mësojnë të duan dijen, jo të urrejnë autoritetin. Meritojnë të shohin bashkëpunim, jo ndasi. Meritojnë të rriten në një shkollë që nuk është e pushtuar nga hija e një figure që e ka në profil mbijetesën përmes prishjes së figures se tjetrit. Jo. Ky nuk është edukim. Ky është alarm. Dhe ky alarm nuk duhet të shuhet pa përgjigje.
