Në një ishull të vogël grek, mes dritës së bardhë të Hidhrës dhe detit që dukej sikur rridhte drejt përjetësisë, nisi një nga historitë më poetike të dashurisë në shekullin e kaluar. Ishte viti 1961 kur një poet i ri kanadez, Leonard Cohen, takoi një grua që do t’i ndryshonte jetën , Marianne Ihlen.
Ajo ishte norvegjeze, e qetë, me një djalë të vogël dhe një buzëqeshje që e mbulonte botën me dritë. Ai, një poet ende në kërkim të vetes, që mbante në shpirt më shumë pyetje se përgjigje në atë ishull pa orë e pa nxitim, midis varfërisë boheme dhe shpirtit të lirë, ata u dashuruan. Letra që Cohen i shkroi Marianne-s, “My angel, my all, my very self…”, është më shumë se një shprehje dashurie, ajo është një bekim i thjeshtë i një njeriu që kishte gjetur strehë në një tjetër shpirt. Nuk është letra e një dashurie të zhurmshme por e një dashurie që kupton heshtjen. Ai i shkruan si poet por e do si njeri. Vitet kaluan, ata u ndanë, por lidhja e tyre nuk u shua.
Cohen u bë një prej zërave më të thellë të muzikës moderne, një poet që e shndërroi dhimbjen në melodi, vetminë në art dhe në mesin e shumë këngëve që do të lindnin nga përjetimet e tij, njëra mbeti përgjithmonë si kujtim i Hidhrës, “So Long, Marianne.” Në këtë këngë nuk ka as urrejtje, as pendesë, një lamtumirë të butë, si një përqafim që s’do të mbarojë kurrë. Marianne ishte muza që i kujtoi se dashuria edhe kur humbet, nuk zhduket por mbetet në kujtesë, në vargje, në çdo tingull që lind nga mallëngjimi. Dhe kur dekada më vonë, në verën e vitit 2016, Cohen mori lajmin se Marianne ishte në shtratin e vdekjes, i shkroi edhe njëherë: “Tani jam pak prapa teje. Mos u shqetëso për asgjë, e dashur. Kur të shtrish dorën, mendo se unë jam aty pranë teje…” Disa muaj më pas, Cohen e ndoqi pas. Në fund, mbeti një letër, një këngë dhe një kujtim i përjetshëm se dashuria e vërtetë nuk kërkon zotërim por përjetësi. Në çdo varg të “So Long, Marianne”, dëgjon frymëmarrjen e një kohe të shkuar, të një dashurie që nuk përfundon, por thjesht ndryshon formë si deti që ndan, por gjithmonë bashkon brigjet e së njëjtës ndjenjë.
Një dashuri e tillë nuk mbyllet kurrë me fjalët “Lamtumirë” por me një pëshpëritje të qetë,
“Do të shihemi në poezi.”
Ndaje
