Muaji më i bukur i vitit

Ndaje

Dhjetori vjen gjithmonë si një mik i mirë që lajmëron se koha për t’u ndalur, për të marrë frymë thellë dhe për të kujtuar çfarë na bën vërtet të lumtur, ka ardhur. Është muaji ku drita ndeshet me errësirën e dimrit dhe e mposht me shkëlqimin e saj shumëngjyrësh. Në çdo cep të qytetit, në çdo dritare e ballkon, shfaqen shkëlqime që duken si yje të vegjël tokësorë, të gatshëm të na kujtojnë se edhe në stinën më të ftohtë, njeriu gjen mënyra për të krijuar ngrohtësi. Rrugët marrin jetë me zbukurime, njerëzit ecin me ritëm të ngadalësuar dhe fytyrat embëlsohen nga atmosfera.Diçka në atmosferë ndryshon,zëri i brendshëm që gjatë vitit hesht, tani zgjohet dhe flet butë, duke na kujtuar se është koha të kujdesemi më shumë për njëri-tjetrin, për veten dhe për shpirtin që shpesh e lodh përditshmëria. Por ndër të gjitha simbolet e festave, bredhi dhe pisha mbeten të pazëvendësueshëm. Ata janë rojet e gjelbërimit në dimër, pemët që mbajnë gjallë ngjyrën, shpresën dhe ndjenjën e vazhdimësisë. Bredhi është simbol i jetës së përhershme, që nuk shuhet as kur bora mbulon çdo gjë, qëndrueshmërisë sepse qëndron drejt dhe krenar në çdo stuhi, shpresës që nuk humbet, edhe në ditët më të gjata të dimrit, ngrohtësisë së familjes, që gjithmonë mbetet e gjelbër brenda nesh.
Pisha po ashtu, mban një simbolikë të lashtë. Gështenjat e saj, ato “vogëlushe” të forta me ngjyrë të ngrohtë, shihen si shenja të pjellorisë, bollëkut, begatisë dhe fatit të mirë. Prandaj vendosen në tavolinë, në kurora, në qirinj apo zbukurime si thesarë të vegjël që sjellin gëzim e mirësi. Në njëfarë mënyre, këto dy pemë janë poeti dhe filozofi i dimrit, njëri shkelqen në qendër të shtëpisë i veshur me drita, tjetri shpërndan aromë, ngrohtësi dhe simbolikë të vjetër sa koha. Ndërsa dritat, ato janë zemra e festave. Sa herë ndizet një dritë, ndizet edhe një buzëqeshje. Sa herë shkëlqen një ngjyrë, ngjallet një kujtim. Dritat shumëngjyrëshe nuk janë thjesht zbukurime por mesazhe të vogla drite, që na kujtojnë se gëzimi është më i fortë kur shpërndahet. Disa thonë se dritat janë yje të rrëzuar në tokë, të vendosur aty për të na udhëhequr drejt ditëve të ngrohta pranë familjes. Të tjerë thonë se janë thjesht pjesë e dekorit, por zemra e di se ato sjellin një magji që nuk shpjegohet me fjalë. Ndaj nuk është rastësi që në dhjetor zbukurohet çdo vend, shtëpia, trotuari, dyqanet, tryeza, madje edhe dritaret e vogla të ndërtesave të vjetra që gjatë vitit s’i vëren askush. Zbukurimet janë gjuha përmes së cilës ne shprehim dëshirën për gëzim. Një yll i artë në majë të bredhit tregon shpresën. Një kurorë pishash në derë tregon mikpritjen.
Një qiri i ndezur tregon ngrohtësinë që duam të ndajmë. Një figurë e vogël, e vendosur nga një fëmijë, tregon pafajësinë dhe ëndrrat e tij të pastra. Dhe kështu, çdo zbukurim, sado i vogël, bëhet pjesë e historisë së shtëpisë sonë. Kur afrohen ditët e festave, në ajër ka diçka që s’mund ta shpjegosh,një emocion i butë, një pritje e ëmbël që të mbush gjoksin. Të duket sikur koha ecën më ngadalë, vetëm e vetëm që ne të mund t’i shijojmë momente që shpesh na kapërcejnë gjatë vitit. Në tryezat e mbushura me aromë gatimesh, në qirinjtë që ngadalë shkrijnë, në bisedat e gjata me të dashurit tanë, në dhuratat e vogla por me zemër, ne gjejmë kuptimin e vërtetë të festave,bashkimin, faljen, mirësinë dhe dashurinë. Dhjetori është muaji kur bota bëhet pak më e butë, njerëzit pak më të mirë dhe shpirti pak më i hapur. Dhe ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse ai mbetet muaji më i bukur i vitit, që siç më pëlqen ta emërtoj, muaji i shpirtit.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit