Nuk është se erdhi dhe u shtua papritur. Përkundrazi, ka qenë gjithmonë aty, mes nesh , ndoshta më e fshehur, më e turpshme dhe sot është bërë pjesë e përditshmërisë, një sëmundje që ecën me këmbë njeriu dhe që për çudi, ndonjëherë edhe duartrokitet. Mosmirënjohja nuk bërtet por vepron në heshtje, si një dorë që merr dhe largohet pa kthyer kokën. Është një rrëshqitje e ftohtë nga mirësia te përfitimi, nga nderimi te përçmimi, nga “faleminderit” te “çfarë më takon”. Ajo nuk lind nga urrejtja, por nga kultura e konsumit emocional, nga ideja që gjithçka madje edhe njerëzit, janë të zëvendësueshëm. Sot më vlen, nesër jo. Sot më shërbeve, nesër je i tepërt. E kështu, në vend të një shoqërie që ruan kujtesën, po ndërtojmë një realitet që feston harresën. Mosmirënjohja është veshur me kostume të reja. Quhet “vetëvlerësim” kur lëndon ata që të deshën. Quhet “forcë” kur mohon ata që të mbështetën. Quhet “transformim” kur përdor dikë për të kaluar në kapitullin tjetër të jetës tënde. Në fakt, është e njëjta fytyrë, vetëm me dricim më të mirë. Por ajo që dhemb më shumë nuk është humbja e njerëzve por zbulimi i fytyrave të tyre. Njerëz që i quajte miq, të afërm, bashkëpunëtorë por që u larguan në momentin që nuk u dole më në hesap. Që të përdorën si shkallë dhe më pas të panë si pengesë. Që u zhdukën pa një fjalë, pa një ndjesë sepse në mendjen e tyre, mirësia jote ishte borxh, jo dhuratë. Por në këtë pikë, kujtoj Kantin, filozofin e etikës që do ta quante këtë sjellje një shkelje të dinjitetit njerëzor. Sepse për Kantin, morali nuk është ndjenjë por detyrë. Të falënderosh, të mos harrosh, të nderosh ata që të ndihmuan nuk është opsion etik por kriter i njerëzimit. Por jeta ka ritmin e saj. Ajo nuk hakmerret. Nuk flet por kujton. Dhe në një ditë të qetë, pa zhurmë, të vendos përballë pasqyrës që nuk gënjen. Të kujton se i vetmi njeri që mund të të shpëtojë nga vetja, je ti. Dhe kur gjithçka që ke ngritur mbi harresë rrëzohet, atëherë kupton se ke harruar më të rëndësishmen, të jesh njeri. Ndaj po, janë shumë. Të shumtë sa as nuk ia vlen t’i numërosh. Por jeta është e gjatë. Ne do rrojmë. Do shohim. Dhe spektakli i mosmirënjohjes nuk zgjat përgjithmonë. Sepse harresa është një formë e vogël vdekjeje. Dhe njeriu që nuk ka kujtime për të falënderuar, është një shpirt që ka mbyllur dritaren nga brenda.
