Monumenti i Pavarësisë në errësirëNjë qytet pa kujdes, një turizëm pa ndricim

Ndaje

Ora është 11:30 e mbrëmjes dhe në qendër të qytetit, në sheshin përpara Monumentit të Pavarësisë, errësira mbulon gjithçka. Një errësirë e plotë, e rëndë, që i mohon këtij simboli historik të Vlorës ndriçimin që meriton. Në një cep, disa turistë të huaj përpiqen me dritën e telefonave të tyre të zbardhin murin, të shohin detajet, të kapin me blicin e telefonit atë që duhet të shkëlqejë natën. Një skenë që nuk e do asnjë qytet serioz dhe aspak dinjitoz. Monumenti i Pavarësisë nuk është vetëm një gur i rëndë mbi të cilin janë ngjitur historitë e lirisë sonë. Ai monument është zemra e qytetit të Vlorës, është një thirrje për kujtesë dhe krenari, dhe një pjesë thelbësore e turizmit historik në qendrën e qytetit të vjetër. Por sot, ky monument është harruar. Ai është lënë në errësirë, si të mos ishte i rëndësishëm për qytetin, për banorët, për vizitorët. Nëse një monument i tillë nuk ndriçohet si duhet, kush është fajtori? Mos vallë është mungesa e vëmendjes nga autoritetet vendore? Mos është dështimi në menaxhimin e qytetit? Apo ndoshta një injorancë kulturore dhe një mungesë përgjegjësie që kalon përtej çdo justifikimi? Kjo nuk është vetëm një çështje teknike apo estetike. Është një shenjë e qartë e mungesës së respektit për historinë, për trashëgiminë, dhe për veten tonë si qytetarë. Në një kohë kur qytete të tjera investojnë në ndriçimin dhe ruajtjen e monumenteve, ne jemi ende në një hapësirë ku simboli ynë më i rëndësishëm fshihet në errësirë. Ndriçoni Monumentin e Pavarësisë!
Jepini qytetit tonë dritën që ai meriton! Ndriçoni qytetin! Sepse një qytet që nuk respekton historinë e vet, nuk ka të ardhme.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit