Mona Liza misterioze

Ndaje

Në një det turistësh që ngrejnë celularët për të kapur një foto të shpejtë, ajo rri e qetë, e mbuluar pas një xhami sigurie, me një buzëqeshje që ka bërë botën të mendojë për pesë shekuj me radhë. Hera e dytë që vizitoj Luvrin dhe sërish ndalem përballë Mona Lizës me të njëjtën kërshëri si herën e parë. Është e vogël, gati modeste në përmasa por e pafund në mister. Në një sallë ku çdo pikturë kërkon vëmendje, ajo të sheh në heshtje, pa e kërkuar por duke ta marrë mendjen. Përtej turmës dhe zhurmës, e ndien se kjo vepër mban diçka që nuk është thjesht bukuri por sekret. Cila është ajo grua? Nga u frymëzua Leonardo da Vinçi për ta pikturuar? Shumë thonë se është Lisa Gherardini, bashkëshortja e një tregtari nga Firence. Por studiues të tjerë besojnë se ajo është një ide dhe jo një njeri. Një mishërim i perfeksionit njerëzor, një ndërthurje mes realitetit dhe ëndrrës, ashtu siç vetëm Leonardo mund ta konceptonte. Leonardo nuk ishte vetëm piktor. Ai ishte shkencëtar, filozof dhe poet i mendimit njerëzor. Në çdo vepër të tij, nga “Darka e Fundit” e deri te “Mona Lisa”, ai kërkonte një ekuilibër mes tokësores dhe hyjnores.
Në “Darkën e Fundit” ai pikturoi momentin e tradhtisë dhe të shpirtit që thyhet ndërsa tek “ Mona Lisa “ momentin e heshtjes dhe të shpirtit që mbijeton.Në një farë mënyre, ato janë si dy anë të së njëjtës medalje,njëra tregon fundin e një epoke ndërsa tjetra fillimin e përjetësisë.
Të them të drejtën, Mona Lisa nuk më është dukur e bukur. Nuk ka simetri të përsosur, as hijeshi femërore por ndoshta pikërisht aty qëndron dhe forca e saj.Leonardo e dinte që bukuria e vërtetë nuk është ajo që të mahnit menjëherë por ajo që të ndjek, që të përfshin në mendime, që nuk të lë rehat. Ai e pikturoi me dritë që nuk vjen nga jashtë por nga brenda, një ndriçim i shpirtit dhe jo i lëkurës. Buzëqeshja e saj është si një enigmë e pavdekshme, nëse e sheh gjatë, ajo ndryshon. Herë të duket e butë, herë ironike, herë e trishtuar. Është një emocion i gjallë në një fytyrë të ngrirë. Në thelb, “Mona Lisa” është më shumë se një portret, është një eksperiment mbi shpirtin njerëzor dhe Da Vinci kërkonte të kuptonte se si ndjenjat mund të përktheheshin në ngjyra, si mendimi mund të bëhej dritë.Ajo është harta e kërkimit të tij për përsosmërinë që nuk ekziston, një përpjekje për ta bërë përjetësinë të dukshme. Ndoshta për këtë arsye, edhe sot, miliona njerëz ndalen përpara saj, të mahnitur, edhe pse shumë nuk e dinë pse. Ajo të fton të ndjesh dhe jo të kuptosh. Dhe ndoshta ky është sekreti më i bukur i artit, që nuk kërkon përgjigje por heshtje që flet. Pas pesë shekujsh, Mona Lisa ende na sheh me të njëjtin vështrim si për të na kujtuar se, misteri është ajo që e bën bukurinë të pavdekshme.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit