Ka një zë që nuk ka rënë kurrë në gjumë as kur ai vetë pushoi së jetuari. Ka një klithmë që nuk u tret as në mushkëritë e sëmura të një poeti që vdiq para se të përjetonte një jetë por jetoi aq sa të rrëfente me të vetmin instrument që i besonte, fjalën. Dhe sot, më shumë se për çdo datë tjetër, ajo poezi më eshte ngulitur në mendje si një gjilpërë nën lëkurë “ Poezia e mjerimit” . Migjeni vdiq në heshtje. As nuk kishte kohë të bëhej hero, as nuk pati fatin të plaket. Ai thjesht iku duke lënë pas një sërë fjalësh që nuk u thanë kurrë sa duhet e që nuk u dëgjuan kurrë sa duhej, jo sepse nuk ishin të forta por sepse ishin tepër të vërteta për një shoqëri që kishte frikë nga pasqyrat. Dhe sot, nëse shoh përreth, mjerimi nuk ka më zhele por këmisha të hekurosura. Nuk ka më sytë e lotur të fëmijës zbathur por ka zhgënjimin e heshtur të të rinjve që mbajnë në xhep diplomën dhe në shpirt zbrazëtinë. Mjerimi nuk u zhduk por u transferua në format më të butë, më elegant,më të pranueshme shoqërisht dhe pikërisht për këtë arsye, edhe më të rrezikshme. Migjeni nuk e pati luksin e cinizmit. Ai nuk bënte sarkazëm për t’u dukur i zgjuar dhe as e vriste mendjen me çdo varg që shkruante. Ai e linte veten të lëndohej që të mos e plagoste heshtjen. Nuk shkruante për letërsi por për të shpëtuar frymën e njeriut të thjeshtë , të atij që nuk e ndihmonin as librat, as kishat, as partitë biles as Zoti ndoshta. E ndërsa sot qendra të mëdha kulturore, akademikë dhe njerëz të shkolluar e përmendin Migjenin si monument të mendimit kritik, realiteti vazhdon t’i ngjajë po aq shumë poezisë së tij sa ç’i ngjante atëherë, është ende djepi i skamit që përkundet me lotët, është ende njeriu që kapet pas shisheve për të harruar lirinë që nuk erdhi kurrë, është ende buka që ndahet në katër pjesë ndërsa miliona rrjedhin në duar që nuk dinë as të skuqin një vezë. E kur e mendoj më thellë, Migjeni s’është më thjesht një poet që na la vargje por një ndjesi që nuk plaket. Një vetëdije që të merr per dore , të çon përpara pasqyrës, dhe të pyet pa mëshirë, “A je njeri, apo veç dëshmitar i një kohe që vuan e ti nuk bën asgjë?” Ai nuk do të pranonte heshtjen që e kemi kthyer në mënyrë jetese. Nuk do të pajtohej me zbrazëtinë e gjallë që gëlon në rrjete sociale, ku njerëzit flasin për çdo gjë, publikojne foto per cdo gje përveç asaj që i djeg përbrenda. Ai nuk do të bënte kompromise me të keqen edhe nëse ajo vishet me kollare, me poste, me vota e mbi të gjitha, nuk do të lejonte që fjala të bëhej dekor, kur ajo duhej të ishte revoltë. Sot, më shumë se për të kaluarën, më dhemb koha që po jetojmë. Më dhemb se si e kemi mësuar mjerimin të ecë në hije, të duket modern, të shfaqet si zgjedhje dhe jo si pasojë. Dhe në këtë absurd të përditshëm, të heshtësh është më e rrezikshme se të gabosh. Migjeni, sikur të ishte ende këtu ndoshta nuk do të shkruante më poezi. Ndoshta do të mbyllej diku dhe nuk do të mund ta përballonte këtë version të zbutur të shoqërisë, ku gjithçka simulohet dhe asgjë nuk ndjehet thellë. E në këtë ditë të lindjes së tij, nuk kam shumë për të shtuar e as shumë për të thënë. Veç ndoshta se Migjeni nuk iku herët por ne vonuam shumë për ta kuptuar.
