Minifundi i Mary Quant Koha kur feminiteti ishte art

Ndaje

Ka kohë që nuk kthehen më por mbeten si një aromë e vjetër parfumi në një shall mëndafshi, si tingulli i një muzike që vjen nga dritarja e hapur në një mëngjes ku gjithçka është ende e pastër. Stinët e modës në vitet ’60 nuk janë thjesht një kapitull i kaluar por një mënyrë e përjetshme për të kujtuar se si ishte të jetoje si grua me lehtësi, me stil, me hir. Ishte ajo dekada kur u kuptua më në fund se të jesh e bukur nuk do të thotë të jesh perfekte dhe se eleganca nuk kishte nevojë për pasarelat e gjata por për një copë fund që përfundonte aty ku fillonte liria dhe në qendër të këtij revolucioni të heshtur ishte një grua, Mary Quant , një stiliste angleze, e re dhe kokëfortë, që nuk kishte ndërmend të pyeste askënd për miratim. Ajo thjesht qepi një fund më të shkurtër dhe pa e ditur, krijoi një gjuhë të re për femrat e një bote që sapo kishte filluar të ndryshonte. Minifundi, me prerjen e tij të guximshme, ishte më shumë sesa një rrobë. Ishte një deklaratë, një buzëqeshje, një hap i lehtë në rrugë, një kthim koke nga burrat, jo për shkak të provokimit por sepse feminiteti nuk fshihej më por shkëlqente në dritën e ditës. Në atë kohë, një grua me minifund nuk kërkonte të ishte moderne, ajo thjesht ishte vetvetja. Me flokët që përkëdhelnin shpatullat, me lëkurën e zbuluar pa frikë, me një ecje që nuk imitonte askënd. Dhe burrat? Ata nuk e shihnin gruan si sfidë, por si bukurisht të pamundur për t’u mos parë. Nuk ishin vetëm këmbët e zbuluara por ajo mënyra se si mbaje veten, si i vije pranë një tryeze, si qeshje, si të zbulonte drita e pasdites mbi konturet e trupit pa asnjë ndihmë artificiale. Feminiteti i asaj kohe kishte butësi por edhe forcë. Kishte dritë por edhe hije. Kishte mister, pa pasur nevojë për maska. Dhe po, në kontrast të thellë, sot shohim një tjetër skenë, vajza me pantallona të gjëra, tuta, kapele të ulura mbi vetulla, qafë të mbuluara, flokë të fshehur. Më shumë si djem të lodhur nga koha sesa gra të vetëdijshme për hijeshinë e tyre. Moda e sotme ka fshirë dallimet si për ta bërë jetën më praktike por në këtë neutralitet të zymtë, është feminiteti që po humbet zërin e vet. Dikur, një grua me minifund të linte pa fjalë jo se tregonte shumë por se e kishte mësuar artin e të treguarit pak, me shumë klas. Sot, për fat të keq, shohim më shumë zbulesë por më pak hijeshi, më shumë zhurmë por më pak praninë e asaj bukurie të qetë që të bënte të ndaloje për një çast. Mary Quant nuk i shpiku gratë. Ajo thjesht i ndihmoi të mos fshiheshin më. U dha një fund më të shkurtër dhe një vështrim më të gjatë drejt vetes. I ftoi të ecin në rrugë si të ishin në shtëpinë e tyre pa pasur frikë të duken të bukura, të ndihen të dëshiruara, të zgjedhin të jenë gra. Dhe burrat? Ata ndoshta nuk do ta pranojnë kurrë me fjalë, por ndjenja e asaj kënaqësie të heshtur kur sheh një grua të vërtetë që hyn në një sallon pritje dhe ndriçon gjithçka nuk është zhdukur vetëm po pret të rikthehet. Sepse eleganca nuk vdes. Ajo fshihet dhe pret një dekadë tjetër, një Mary tjetër, një vajzë që zgjedh një minifund jo për t’u dukur si të tjerat por për të qenë më shumë si vetja.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit