Një kujtim i vogel por i thellë më rikthen në një moment në një klasë, ku një vajzë adoleshente vërejti me habi dhe konfuzion veshjen e mësueses së saj të re që hynte në klasë me shapka të hapura, një bluzë dekolte lino transparente dhe perparesen e bardhe te zberthyer. Syte e vajzës nuk kuptonin pse ajo që duhej të ishte figura e autoritetit dhe respektit dukej më shumë si një mikeshë shoqërore sesa si mësuese. Ajo ndjeu një konfuzion që nuk i përkiste asaj moshe por që i tha në heshtje teksa mesuesja citonte pikat kryesore te rregullores se shkolles. Po ju mesuesit a keni rregullore? Dhe ky kujtim nuk është vetëm historia e një adoleshenteje por zëri i shumë brezave që po rriten me shembuj të tillë dhe mesazhe të përziera, ku liria e stilit shpesh shndërrohet në mungesë përgjegjësie. Një mësues nuk është vetëm një transmetues njohurish por një udhërrëfyes, model mbështetje dhe shpesh figura që formëson atë që do të bëhemi dhe për këtë çdo detaj ka rëndësi, edhe mënyra si shfaqemi para tyre. Kur veshja, shapkat, minifundet, dekoltet , zhaponetë apo bluzat transparente bëhen normë në shkolla duke u përdorur nga mësues të çdo moshe po humbasim atë hijeshi të vërtetë që vinte nga serioziteti dhe respekti për rolin dhe për fëmijët. Të hënën, fëmijët do ngrihen më herët, do rregullohen me kujdes, do vishen me rrobat më të pastra, do kenë shpresën dhe besimin që përtej derës së klasës i pret një figurë e denjë, një model për jetën. Por çfarë ndodh kur në vend të saj hapet porta dhe shfaqet një mësuese me shapka të hapura, bluzë transparente, me strece të tendosura pas trupit dhe bizhuteri nëpër duar që nga trokitjet shpërqendrojnë më shumë se fjalët që do thotë? Ndaj po e them sinqerisht se kjo nuk është mungesë stili por mungesë përgjegjësie. Një mësuese nuk është një kalimtare apo një vajzë që po del për kafe. Ajo është figura që do të mbetet gjatë në kujtesën e fëmijës, mënyra e parë e autoritetit dhe respektit që nxënësi do mësojë. Dhe kur kjo figurë vjen në klasë me shapka zvarrë dhe veshje që nuk tregojnë përkushtim, çdo fjalë tjetër humbet peshë. Unë nuk kam asgjë me shapkat por di të them se ato janë krijuar për në shtëpi apo plazh, jo për të përfaqësuar dijen para syve të fëmijëve dhe kut veshja kthehet në shkujdesje për këtë rol, atëherë po japim një shembull të rrezikshëm brezit që po rritet duke i mësuar gabim për balancën mes kënaqësisë personale dhe përgjegjësisë sociale. Mund edhe të më thoni se “nuk ka rëndësi cfarë vesh mësuesi sepse rëndësi ka të jetë mësimdhënës i mirë” Patjeter, dija eshte gjithcka por dhe Mesuesi është gjithcka. Sepse mësuesi mëson edhe me mënyrën si ecën, si qëndron, si prezantohet, si komunikon. Ai është një billboard i gjallë i asaj që përfaqëson. Dhe nëse kjo “reklamë” i thotë fëmijës “rehatohu”, “je lirë të bësh ç’të duash”, atëherë çfarë model po japim? Këtë nuk e rregullon as një plan mësimor, as rritja e pagës apo reforma më e fundit arsimore. Këtë e rregullon vetëm ndërgjegjja. Ministria e Arsimit këtë vit ka ngritur zërin për etikën, për sjelljen, për figurën që duhet të ketë mësuesi. Por tani është radha e mësuesve që ta kuptojnë këtë, kodi etik nuk është vetëm një dokument në mur, por është mënyra si hyn në klasë , hapi i parë, fjala e parë, imazhi i parë. Në fund të ditës, fëmijët nuk do mbajnë mend çdo orë mësimi por do mbajnë mend si u ndjenë pranë mësuesit dhe si u përfaqësua ai para tyre. Prandaj, mësues, këtë vit, kur të hysh në klasë, mos e lejo që shapkat apo veshja jote të bëhen pengesë për autoritetin dhe respektin që duhet të ndërtosh. Rikthe hijen e dikurshme të profesionit. Rikthe atë që të bënte një figurë të respektuar dhe të dashur. I dashur mësues! Rikthe hijen e profesionit sepse në klasë duhet të hyjë dinjiteti.
