Melatonina, ora e heshtur e dimrit

Ndaje

Kur dimri zgjat netët dhe shkurton ditët, trupi ynë fillon të dëgjojë një ritëm tjetër, më të ngadaltë, më të thellë, sikur natyra vetë i kërkon njeriut të tërhiqet pak nga zhurma e botës. Në këtë ndryshim të padukshëm, një rol të veçantë e ka melatonina, hormoni i gjumit, ora e brendshme që i tregon trupit kur duhet të ndalojë dhe kur duhet të pushojë. Melatonina rritet kur bie errësira dhe pakësohet kur lind drita. Në verë, ky cikël kalon pothuaj pa u vënë re, sepse dita është e gjatë dhe energjia duket e pashtershme. Por në dimër, kur mbrëmja vjen herët dhe mëngjesi zgjohet me vështirësi, melatonina qëndron më gjatë në trup, duke sjellë përgjumje, plogështi dhe një ndjenjë të lehtë tërheqjeje nga aktiviteti. Shpesh njerëzit e quajnë dembelizëm, por në të vërtetë është një reagim i natyrshëm biologjik. Trupi kërkon më shumë gjumë, më shumë qetësi, më shumë kohë brenda. Mendja bëhet më reflektuese, më e heshtur, ndonjëherë edhe më e ndjeshme. Nuk është rastësi që dimri shpesh lidhet me mendime më të thella, me kujtime, me nevojën për të qëndruar pranë vetes. Melatonina nuk është armike e energjisë por kujtesa e trupit se njeriu nuk është krijuar për të qenë gjithmonë në nxitim. Megjithatë, kur errësira zgjat shumë dhe drita mungon, ritmi mund të prishet, gjumi bëhet i çrregullt, lodhja nuk largohet dhe dita duket sikur nuk fillon kurrë plotësisht. Prandaj dimri kërkon më shumë kujdes për rutinën, dritë në mëngjes, lëvizje, orar të rregullt gjumi, dhe mbi të gjitha pranimin se kjo stinë nuk kërkon shpejtësi por ekuilibër. Ndoshta melatonina na mëson diçka që e harrojmë shpesh në jetën moderne, se pushimi nuk është dobësi por pjesë e domosdoshme e forcës. Sepse edhe natyra, përpara se të lulëzojë, kalon gjithmonë nëpër dimër.😉

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit