Marshim në nder të Leandros.

Ndaje


Ecim bashkë për jetën, për kujdesin dhe për ndryshimin që mund të bëj. Sa shpesh harrojmë se rruga nuk është thjesht asfalt dhe drita trafiku por një vend ku çdo hap mund të ndryshojë jetën e një të riu përgjithmonë? Një çast i gabuar, një rrugë e errët dhe ëndrra e një djaloshi 17-vjeçar u ndërpre përfundimisht. Leandro punonte dhe studionte, çdo mbrëmje nisej drejt shtëpisë së tij, si shumë të rinj të tjerë por tragjedia e tij na rikujton dhimbjen që nuk mund të harrohet dhe përgjegjësinë që nuk mund ta shmangim. Sot, bulevardi “Ismail Qemali” u mbush me heshtje. Qytetarë të shumtë marshuan ngadalë, me lule dhe pankarta në duar, duke mbajtur mesazhe që dridhnin shpirtin: “Jeta e të rinjve është e shenjtë”, “Mos e lejoni dhimbjen të bëhet statistikë”. Fotografitë e Leandros u mbajtën në duar, për të ndjerë praninë e tij mes tyre dhe për të treguar se ai nuk është harruar. Çdo hap, çdo frymë e heshtur ishte një thirrje për ndryshim. Ky marshim nuk është thjesht një akt kujtimi por një alarm, një thirrje për ndërgjegjësim dhe reflektim mbi sigurinë rrugore, mbi vlerën e çdo jete të rinie. Kur ecim për Leandron dhe për çdo jetë të humbur në rrugë, tregojmë se ekziston një komunitet që nuk e harron dhimbjen dhe nuk pranon indiferencën. Çdo hap është një mesazh,më shumë përgjegjësi, më shumë kujdes, më shumë mbrojtje për të rinjtë. Marshimi dhe heshtja mbuloi bulevardin për disa minuta. Një heshtje që dridhte shpirtin, një kujtesë se çdo humbje mund të shmanget nëse secili prej nesh merr përgjegjësinë e tij. Leandro nuk është vetëm një emër. Ai është çdo djalë dhe vajzë që mund të humbasë jetën në rrugë. Ne nuk mund të qëndrojmë indiferentë. Ky marshim është një thirrje për veprim,për t’i dhënë çdo të riu shansin të kthehet i sigurt në shtëpi, për t’i treguar komunitetit se dhimbja nuk është e heshtur por bëhet zë dhe veprim për jetën.
Leandro nuk është më mes nesh, por jeta e tij nuk mund të harrohet. Kujtimi i tij është thirrja që na detyron të reflektojmë mbi çdo rrugë të errët, mbi çdo moment të rrezikshëm dhe mbi çdo përgjegjësi që kemi për të rinjtë. Marshimi për të nuk është vetëm një akt respekti, por një premtim, të ecim bashkë për jetën, të kujdesemi më shumë, të ndryshojmë realitetin që mund të marrë kaq lehtë ëndrrat e pafajshme. Leandro është çdo djalë dhe vajzë që mund të humbasë jetën në rrugë dhe përmes kujtimit të tij ne bëhemi zëri i tyre, veprimi i tyre, dhe shpresa që rruga nuk do të jetë më kurrë vendi ku ëndrrat ndërpriten papritur.
Ndaj ecim, jo vetëm për të, por për jetën që mund të shpëtojmë, për çdo zemër të re që meriton një të nesërme të sigurt. Leandro do të mbetet gjithmonë mes nesh, në qirinjtë që dridhen në errësirë, në lule që vendosen me kujdes dhe në çdo hap që bëjmë për të ndalur dhimbjen që mund të shmanget. Ai na kujton se jeta nuk është një statistikë por një dhuratë që duhet të ruhet me kujdes dhe dashuri.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit