Ka një luks që nuk zë vend në asnjë katalog, që nuk matet me para, nuk krahasohet me asgjë tjetër në këtë botë. Dhe ai është të kesh babain gjallë. Të kesh pranë njeriun që, edhe pa folur, të kuptonte gjithçka. Që të jepte siguri vetëm me një shikim, që s’të shpjegonte shumë por të mësonte gjithçka me shembullin e vet. Të jepte mbështetje pa zhurmë, qëndresë pa ankesa dhe mbi të gjitha dinjitet në çdo hap të tijin. Pavarësisht sa rritemi, sa tituj mbajmë apo sa plagë kemi kaluar, mungesa e tij nuk bëhet kurrë më e lehtë por më e thellë. Sepse Ai nuk ishte thjesht një prind , Ai ishte sistemi ynë i vlerave, rrënja ku mbështetej gjithçka. Ai që na mësoi të duam me përgjegjësi, të mbajmë fjalën tonë si nder dhe mbi të gjitha të mos harrojmë kush jemi.
Tani, Ai jeton në kujtimet tona, në mënyrën si e prekim jetën dhe në çdo ndjesi krenarie që na mbush pa fjalë,është Ai, i heshtur, i pandarë. Dhe shpesh pyes veten se kush është luksi më i madh? E di tashmë që as pasuritë dhe as komoditetet por një baba që të ka lënë një botë të tërë brenda vetes. Një emër që mban peshë, një dashuri që nuk vdes kurrë.
Dhe kur fluturat hyjnë në shtëpi, ne e dimë se Ai, nuk është larg, por aty. Me ne. Përjetë.
Ndaje
