Ka emra që historia i shkruan me bojë dhe i gdhend me gjak. Ka poetë që i këndojnë lirisë nga larg dhe ka të tillë që i afrohen aq shumë, sa digjen prej saj. Lord Bajroni ishte pikërisht ky i fundit,një shpirt romantik që nuk u mjaftua me bukurinë e vargut, por kërkoi ta vërtetonte poezinë e tij në jetën reale. Për të, fjala nuk kishte vlerë nëse nuk shndërrohej në veprim, dhe arti nuk kishte kuptim pa sakrificë. I lindur dhe i përndjekur nga një ndjenjë e përhershme mospajtimi me botën, Bajroni e pa jetën si një udhëtim të trazuar drejt lirisë. Ai u bë zë i rebelimit romantik, i shpirtit që nuk pranon kufij, as në mendim, as në ndjenjë, as në histori. Dhe pikërisht aty ku poezia e tij u takua me vuajtjen e popujve të shtypur, lindi figura e poetit që nuk shkruan vetëm për lirinë, por jeton dhe vdes për të. Romantizmi i Bajronit ishte rebel, i trazuar dhe thellësisht njerëzor. Në veprat e tij të hershme shfaqet ndjenja e vetmisë dhe e mospajtimit me botën aristokratike ku ai kishte lindur. Por pikërisht me Childe Harold’s Pilgrimage ai u bë zëri i një brezi të tërë evropianësh të zhgënjyer nga hipokrizia, tirania dhe rënia morale e shoqërisë. Kjo vepër nuk është vetëm një udhëtim gjeografik, por një pelegrinazh shpirtëror, ku poeti reflekton mbi historinë, lirinë dhe fatin e kombeve të shtypura. Në këtë poemë, Ballkani dhe Shqipëria zënë një vend të veçantë. Bajroni i përshkruan shqiptarët si njerëz të fortë, krenarë dhe të lidhur ngushtë me nderin dhe armën, duke i dhënë lexuesit evropian një imazh të ri për këtë hapësirë të panjohur. Këto vargje nuk janë thjesht ekzotike, por shprehje e respektit të tij për popujt që jetonin mes dhunës, por ruanin dinjitetin. Shqipëria dhe Greqia, në sytë e Bajronit, bëhen simbole të qëndresës dhe të shpirtit të pamposhtur. Figura e heroit bajronian e pranishme në vepra si The Giaour, The Corsair dhe Manfred është një pasqyrim i vetë autorit,i vetmuar, i rebeluar kundër normave, i ndarë mes fajit dhe idealit, por gjithmonë i etur për liri. Këta personazhe nuk janë heronj klasikë por shpirtra të thyer që refuzojnë nënshtrimin. Në këtë mënyrë, Bajroni e revolucionarizoi letërsinë duke e zhvendosur theksin nga heroizmi i jashtëm te drama e brendshme e njeriut. Krijimtaria e tij arrin kulmin satirik dhe filozofik me Don Juan, një vepër që sfidon moralin, politikën dhe hipokrizinë e kohës me ironi të mprehtë dhe gjuhë të gjallë. Ndryshe nga heronjtë e errët të veprave të mëparshme, Don Zhuani është një pasqyrë e shoqërisë, një kritikë e zgjuar ndaj pushtetit dhe konformizmit. Kjo vepër dëshmon pjekurinë artistike të Bajronit dhe guximin e tij për të thyer çdo kufi letrar. Por Bajroni nuk mbeti vetëm poet i revoltës në letër. Kur Greqia u ngrit kundër Perandorisë Osmane, ai e pa këtë si vazhdim natyror të asaj që kishte shkruar. Në Missolonghi, poeti u përball me realitetin e ashpër të luftës, me përçarjet politike dhe me zhgënjimin njerëzor. Megjithatë, ai nuk u tërhoq. Vdekja e tij më 19 prill 1824 nuk ishte thjesht fund i një jete, por lindje e një miti, poeti që sakrifikoi gjithçka për një ideal që i përkiste mbarë njerëzimit.Dhe kështu, jeta e Lord Bajronit qëndron si një urë midis fjalës dhe veprimit, midis ëndrrës dhe realitetit. Ai na mëson se poezia nuk është vetëm pasqyrë e botës, por edhe shtytje për ta ndryshuar atë sepse arti ka vlerë të plotë vetëm kur frymëzon zemrat që guxojnë të sakrifikojnë. Nëpërmjet vargjeve të tij dhe sakrificës së tij në Missolonghi, Bajroni u bë më shumë se poet,ai u bë simbol i lirisë, i trimërisë dhe i përkushtimit ndaj idealeve që tejkalojnë jetën individuale.Ndaj zëri i tij nuk hesht kurrë, ai vazhdon të thërrasë ata që dëshirojnë të besojnë se liria dhe bukuria e fjalës janë të pandashme dhe se çdo ideal i madh kërkon guxim, pasion dhe, ndonjëherë flijim. Lord Bajroni jetoi dhe vdiq duke mbrojtur këtë të vërtetë, duke na lënë si trashëgimi një kombinim të rrallë të poezisë dhe historisë, që do të frymëzojë brez pas brezi.
