Romani i Thomas Keneally-t nuk është vetëm një rrëfim historik mbi një periudhë të errët të njerëzimit por një dëshmi e dhimbshme por edhe e ndritshme, se edhe në mes të ferrit mund të ekzistojë një dritë njerëzore. Schindler’s Ark nuk është thjesht histori për krimet naziste në Krakov por një udhëtim në ndërgjegjen e njeriut që guxoi të jetë i mirë në një kohë ku e mira dukej e pamundur.E kam lexuar romanin vetëm një herë dhe aq mjaftoi që të më ngjizte në kujtesë imazhin e një bote që po shembet dhe një njeriu që refuzon të shembet bashkë me të.Filmin në të kundërt, e kam parë disa herë. Çdo herë ndryshe, çdo herë më thellë sepse Lista e Schindler-it nuk është film që e sheh por që të sheh ty, të sfidon, të shqetëson, të zhvesh nga çdo iluzion rreth moralit të lehtë.Oskar Schindler, industrialisti gjerman, anëtar i partisë naziste, i dhënë pas luksit, verës dhe grave nuk kishte asgjë prej heroi klasik. Në fillim, ai ishte një përfitues i sistemit, një njeri që pa në luftë mundësinë për pasuri. Ai bleu një fabrikë të emalimit në Krakov, e mbushi me punëtorë hebrenj, jo nga mëshira, por nga llogaria sepse ishin më të lirë dhe më të leverdishëm.Por diku rrugës, diçka ndryshon.Në mesin e tymit, kampeve dhe krismave, Schindler zgjohet si njeri. Ajo që nisi si interes ekonomik u kthye në një mision shpëtimi. Ai filloi të paguante nga pasuria e tij për të mbajtur punëtorët e mbrojtur, për të blerë jetën e tyre nga vdekja dhe më pas, shkroi listën. Ajo listë famëmadhe që mbante më shumë se një mijë emra.Një listë e bërë jo për t’u kujtuar por për të mos harruar.Një listë që u bë sinonim i jetës në një kohë ku vdekja ishte normë. Shkrimtari Thomas Keneally nuk e romantizon Schindler-in. Ai nuk e shndërron në shenjtor përkundrazi e paraqet me të gjitha dobësitë e tij njerëzore, pijetar, flirtues, i pavendosur. Por pikërisht kjo e bën figurën e tij më reale, më të prekshme, më njerëzore sepse heronjtë e vërtetë nuk janë të përsosur,janë ata që gabojnë dhe përsëri zgjedhin të bëjnë të drejtën. Në roman, kontrasti midis Schindler-it dhe Amon Goth -it, komandantit brutal të kampit të Plaszów është therës. Njëri vret për kënaqësi ndërsa tjetri rrezikon gjithçka për të shpëtuar. Dhe midis këtyre dy ekstremiteteve qëndron historia e njerëzimit, aftësia jonë për të qenë përbindësha dhe engjëj njëkohësisht.Në çdo rresht veprës së Keneally-t ndien një lloj drite të zbehtë që lufton me errësirën.Në çdo skenë të filmit ajo dritë bëhet gri, pastaj e kuqe , ngjyra e palltos së vajzës së vogël që endet nëpër rrugët e Krakovit.Një ngjyrë e vetme, një jetë e vetme por e mjaftueshme për të zgjuar ndërgjegjen e një njeriu dhe ndoshta për ta shpëtuar njerëzimin nga harresa.Kur mendoj për Schindler’s Ark, nuk mendoj për historinë e një lufte por për fitore morale. Schindler nuk fitoi asgjë por humbi gjithçka materiale, fitoi atë që as historia, as vdekja nuk mund ta fshijë, mirënjohjen e 1200 jetëve që mbijetuan falë tij Ata e quajnë “lista e jetës” dhe me të drejtë sepse siç thotë një prej tyre në fund të filmit, “Kush shpëton një jetë, shpëton botën mbarë.”Romani i Keneally-t është një kujtesë për ne sot, që e keqja nuk lind papritur por ajo rritet me indiferencën tonë.Dhe e mira, po ashtu, nuk zbret nga qielli por ajo ngrihet nga guximi për të bërë një hap ndryshe nga turma. Në një botë që ende prodhon luftëra, urrejtje dhe zhdukje, historia e Oskar Schindler-it mbetet një dritare shprese që edhe një njeri i vetëm, në kohën më të errët, mund të bëjë dritë.Kjo nuk është vetëm histori për Holokaustin por kujtesa se njerëzimi shpëtohet.Një emër në një listë, një akt në një kohë, një ndërgjegje në një shpirt.
