Librat e Shenjtë, më të nevojshëm se kurrë

Ndaje

Ka ditë kur gjithçka më duket e mbingarkuar. Jo vetëm për nga zhurma jashtë, por edhe për nga lodhja që mbart brenda. Në këtë peizazh të çorientuar të përditshmërisë, ku çdo gjë lëviz shpejt dhe fjalët derdhen pa ndalur, më ndodh të ndaloj. Të dëgjoj pak më shumë heshtjen. Jetojmë në një epokë ku dimë shumë, por ku ndiejmë pak. Ku çdo përgjigje gjendet me një klik, por ku pyetjet më të thella shpesh mbesin pa zë. Në këtë botë ku suksesi matet me shpejtësinë dhe dukjen, njeriu ndonjëherë harron të ndalet e të kujtojë veten. Dhe në këto momente, gjithnjë e më shpesh, mendja më kthehet te librat e shenjtë. Jo si doktrina. Jo si imponim. Por si kujtesë. Si një dritare drejt një fjale që nuk ndryshon me modën. Një fjalë që nuk të ndjek për të të bindur, por për të të treguar rrugën drejt një paqeje që nuk vjen nga jashtë. Në Bibël thuhet: “ Lum ata që kanë zemër të pastër, sepse ata do ta shohin Perëndinë.”Mateu 5:8 Në Kuran thuhet: “Kush bën mirë, atij do t’i jepet më shumë mirësi, dhe kush bën keq, do të ndëshkohet për atë që ka bërë.”Surja El-Muzammil, 73:20 Këto fjali nuk janë për një grup të veçantë. Janë ftesë. Për njeriun që ndien se ka nevojë të kuptojë më shumë se sa të dijë. Për njeriun që ndalon jo për të pasur të drejtë, por për të dëgjuar me ndershmëri. Librat e shenjtë nuk flasin për një kohë tjetër. Ata flasin për njeriun. Dhe njeriu, pavarësisht kohës, mbetet i njëjti në etjen e tij për dashuri, drejtësi, mëshirë dhe kuptim. Kur lodhem nga lajmet që nuk më thonë asgjë, kur marrëdhëniet bëhen të vrullshme e të plogëta njëkohësisht, kur më mungon drejtimi e ndiej sa e domosdoshme është të kem një busull që nuk ndryshon dhe librat e shenjtë janë pikërisht kjo. Jo si përgjigje që imponon, por si shoqërim që ndriçon. Nuk është nevoja të jesh fetar për ta ndjerë vlerën e këtyre fjalëve. Mjafton të jesh i hapur. Të kesh një moment qetësie për të lexuar jo për të marrë përgjigje, por për të ndjerë një prani tjetër, prani që të fton të jesh më i kujdesshëm, më i drejtë, më i vërtetë. Në një kohë kur gjithçka rrotullohet rreth të jashtmes, ndoshta është koha të kujtojmë të brendshmen. Dhe nëse e kërkon atë, mund ta gjesh në një faqe që frymon. Në një fjalë të lashtë që është më e gjallë se kurrë sot. Në një libër që nuk bërtet, por të kujton se njeriu nuk jeton vetëm për të pasur por për të qenë. Dhe ndoshta, mbi të gjitha, librat e shenjtë na rikujtojnë diçka që po zbehet, nderin. Fjalën e dhënë. Modestinë që nuk bëhet reklamë. Familjen që nuk është marrëveshje, por strehë. Dashurinë që nuk është ndjesi e momentit, por zgjedhje përditë. Na kujtojnë se burrëria nuk është forcë, por përgjegjësi. Se gruaja nuk është roli që ia jep shoqëria, por dinjiteti që e mban. Se fëmijët nuk janë projekte për të plotësuar mungesat tona, por amanete për t’u rritur me drejtësi, përulësi dhe dashuri. Kur gjithçka tjetër është zhurmë, fjala e shenjtë është kthjelltësi. Ajo nuk matet me trende, nuk humbet në algoritme, nuk ndryshon me epokën. Është aty për të të kujtuar kush je. Dhe kush mund të jesh. Në një botë që ngutet të ecë përpara, ndoshta duhet të kthehemi pak pas. Të ndalojmë, të dëgjojmë, të lexojmë me zemër. Sepse në fund, vetëm ajo që e ushqen shpirtin, mbetet.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit