Gjigande dhe rrëzëllitëse “ Darka e Fundit” qëndron si një vepër që ndalon frymëmarrjen në atë sallë të gjerë të Luvrit, ku dritat bien me kujdes dhe zërat ulen në heshtje.Vizitorët afrohen për të kërkuar diçka më shumë se thjesht një pikturë. Ata kërkojnë të zbulojnë misterin e shpirtit njerëzor që Leonardo da Vinçi e shndërroi në ngjyrë, dritë dhe heshtje. Ngjyrat janë të buta, të shkrira si një psherëtimë kohe. Harmoninë e tyre e ndien përpara se ta kuptosh. Shikimet e apostujve, duart që përplasen mbi tavolinë, fytyrat që reagojnë ndryshe ndaj një të vërtete të vetme, të gjitha këto krijojnë një simfoni emocionesh, një çast që s’mund të përsëritet.
Në mes qëndron Krishti,i qetë, i ndriçuar, me duart e hapura si për ta pranuar gjithçka, dashurinë, tradhtinë, fatin. Rreth tij, një furtunë ndjenjash që përfaqëson shpirtin njerëzor në kulmin e vet. Në çdo vepër të tij, Leonardo nuk kërkonte të tregonte thjesht bukurinë por misterin. Ai nuk ishte piktor që pikturonte për syrin por për mendjen e njeriut dhe në “Darkën e Fundit” ai e tejkaloi çdo kufi teknik sepse pikturoi jo momentin e ngritjes së bukës, por sekondën pas fjalës, atë çast të përjetshëm ku Krishti thotë: “Njëri prej jush do të më tradhtojë.” Aty, në atë sekondë të ngrirë, ndodh gjithçka,besimi thyhet, dashuria vihet në provë dhe njeriu përballet me vetveten. Leonardo studionte reagimin njerëzor, psikologjinë e fytyrës, tensionin e duarve. Ai e njihte shpirtin njerëzor me një saktësi që vetëm gjenitë mund ta arrijnë. Në këtë tryezë nuk ka vetëm figura fetare por njerëz realë, me frikë, dyshim dhe dashuri dhe kjo është arsyeja pse “Darka e Fundit” mbetet e përjetshme. Ajo s’është thjesht një skenë biblike por një pasqyrë e njeriut që rrëzohet dhe ngrihet sërish. Në shumë piktura të epokës, drita vinte nga jashtë, nga qielli apo një burim fizik por Leonardo bëri diçka ndryshe. Në “Darkën e Fundit”, drita buron nga Krishti vetë.
Nuk ka qiri, nuk ka diell. Vetëm një ndriçim i butë që del nga qënia e tij dhe shpërndahet mbi tavolinë duke prekur edhe ata që e mohojnë, edhe ata që e duan. E në këtë dritë që s’ka burim të dukshëm, fshihet mesazhi më i thellë i Leonardos. Njeriu nuk ndriçohet nga ajo që e rrethon por nga ajo që mbart brenda vetes. “Darka e Fundit” është një çast i historisë së shenjtë por është edhe një metaforë e përjetshme e marrëdhënieve njerëzore. Në çdo miqësi, në çdo dashuri, në çdo lidhje, ekziston një moment ku diçka thyhet, një fjalë e tepërt, një heshtje që plagos, një mosbesim i vogël.Ashtu si në tryezën e Leonardos, edhe në jetën tonë ekziston gjithmonë dikush që mban dritën dhe dikush që largohet në hije. Ne të gjithë kemi qenë një herë Krishti i lënduar, por i qetë, dhe një herë Juda i frikësuar, i fajshëm, njerëzor. Kjo është arsyeja pse piktura na prek kaq thellë, sepse në çdo figurë të saj gjejmë një pjesë nga vetja. Në fund të ditës, “Darka e Fundit” nuk është as thjesht një kryevepër arti, as vetëm një skenë fetare por kujtesa e përhershme se njeriu është një përzierje drite dhe errësire, dashurie dhe tradhtie, faljeje dhe pendese. Leonardo e dinte se për ta kuptuar shpirtin duhet të pikturosh edhe dritën, edhe hijen dhe e bëri këtë me një mjeshtëri të tillë, saqë edhe pesë shekuj më vonë, ne ndalemi përballë veprës së tij dhe pyesim, “ Po unë, në ç’krah të tryezës do të isha? Në heshtjen e asaj salle të Luvrit, përballë një pikture që s’ka nevojë për fjalë ndoshta kupton se misteri i madh i “Darkës së Fundit” nuk është tradhtia por fakti se dashuria mbetet.Sepse edhe kur drita venitet, edhe kur njeriu rrëzohet, diçka hyjnore brenda nesh kërkon të ngrihet përsëri.Dhe ky është mesazhi që Leonardo la përjetësisht në bojë e dritë, se në çdo fund, fshihet një fillim.
Ndaje
