Letra Nr. 9 Për vetëbesimin që lind nga përpjekja e heshtur.

Ndaje

Sot dua të shkruaj për vetëbesimin.Jo atë vetëbesim të zhurmshëm që duket në syrin e të tjerëve, por atë që lind ngadalë, në heshtje, nga përpjekjet e vogla që nuk i sheh askush. Shumë herë mendojmë se vetëbesimi vjen nga sukseset e mëdha, nga komplimentet, nga miratimi i botës por psikologët thonë diçka të bukur se vetëbesimi më i fortë lind nga përpjekjet e heshtura.Nga ato momente kur zgjedh të ngrihesh edhe kur të kanë rrëzuar. Kur zgjedh të mësosh diçka të re edhe kur është e vështirë. Kur mban qëndrueshmëri në mendime, fjalë dhe veprime, edhe kur askush nuk po të sheh. Unë e kam kuptuar këtë shumë herët, çdo libër i lexuar, çdo faqe e shkruar, çdo ditë e kaluar duke reflektuar mbi veten, ka ndërtuar këtë ndjenjë të brendshme. Nuk është një gjë që mund të blihet apo të merret me lehtësi por rezultat i një dashurie për vetveten, i një përpjekjeje të heshtur për të bërë më të mirën që mundesh.
Dhe ndërsa e shkruaj këtë, ndjej fuqinë e vetëbesimit tim se ai nuk është i ndikuar nga miratimi i të tjerëve. Ai nuk ka nevojë për duartrokitje.Ai thjesht ekziston, si një rrënjë që ka mbijetuar stuhitë e kohës dhe rënien e gjetheve.Vetëbesimi nuk është të mos ndiesh frikë apo dyshim por të vazhdosh përpara edhe kur dyshimi është i madh.
Është të pranosh se çdo përpjekje e heshtur, çdo hap i vogël, çdo mësim i marrë në heshtje ka forcën të të bëjë të qëndrueshëm.Sepse vetëbesimi i vërtetë nuk vjen nga ajo që tregon bota por nga ajo që ndodh brenda teje.Dhe sot, duke shkruar këtë, ndjej se çdo gjë që kam bërë për veten time, çdo përpjekje e heshtur, çdo sfidë e kapërcyer, ka ndërtuar një pjesë të pandashme të vetëbesimit tim.Një pjesë që askush nuk mund ta marrë.Një pjesë që do të më shoqërojë gjithmonë, në çdo hap të rrugës, edhe kur errësira duket e gjatë, edhe kur frika kthehet.
Deri në letrën tjetër, Unë…

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit