Letra Nr. 7 Për guximin që lind pas frikës.

Ndaje

Sot dua të shkruaj për guximin, jo atë guximin heroik që shohim në filma apo romane, por guximin e heshtur, të përditshëm, që lind vetëm pasi ke parë frikën sy më sy dhe nuk ke ikur. Kur ulem pranë dritares dhe mendoj për ditët e vështira, kuptoj se guximi nuk është mungesë e frikës por të ecësh përpara edhe kur trupi dridhet, edhe kur zemra rreh shpejt, edhe kur mendja thotë “mos guxo”.
Guximi është të zgjedhësh të bësh atë që frika të ndalon.Është të thuash një “jo” kur diçka nuk është e drejtë.Është të kërkosh një mundësi të re edhe kur rreziku duket i madh. Është të pranosh të jesh i prekshëm, të mos fshehësh ndjenjat, të mos shtiresh me maska për t’u dukur i fortë. Psikologët e quajnë këtë guxim “aftësi e qëndrueshme ndaj rreziqeve të perceptuara”. Me pak fjalë, nuk është një dhuratë e lindur por një zakon që formohet me përpjekje, hap pas hapi e ditë pas dite.
Çdo vendim i vogël për të qëndruar i ndershëm, çdo fjalë e thënë për të mbrojtur të vërtetën, çdo hap jashtë zonës së rehatisë,është guxim. Dhe ndonjëherë guximi është më i madh kur askush nuk e sheh.Kur nuk ka duartrokitje, kur nuk ka reflektorë.Kur vetëm ti e ndjen atë dridhje të butë brenda trupit, atë ndjenjë që të thotë: “Po ec, edhe pse frika është këtu.”
Sot, vendosa të jem e guximshme në heshtje.
Të pranoj frikën, të mos e shmang por ta përdor për të ecur përpara.Dhe ndërsa shkruaj këto rreshta, ndjej shpresë.
Sepse çdo hap, sado i vogël apo i heshtur, është një fitore.Sepse guximi dhe frika mund të jetojnë bashkë brenda teje, duke të bërë më të fortë, më të qetë dhe më të ndershëm me vetveten. Deri në letrën tjetër, Unë…

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit