Sot më duhet të shkruaj për frikën.
Ajo është si një hije e padukshme që ecën pas meje, që nuk më lejon të shoh gjithçka qartë por nuk ka nevojë të bëhet zhurmë për të ekzistuar. Frika nuk është gjithmonë e dukshme, shpesh është një dridhje e vogël në stomak, një tension i heshtur në supe, një mendim që kthehet mbi veten e tij. Dje e ndjeva këtë frikë më shumë se zakonisht. Ishte frika nga dështimi, nga humbja, nga ajo pjesë e brendshme që nuk i tregoj askujt. Ishte frika që të bën të dyshosh në aftësitë e tua, të vështirëson vendimet dhe të ngadalëson lëvizjet e përditshme. Psikologët e quajnë këtë “frikë ekzistenciale” ajo që nuk lidhet vetëm me rreziqet e jashtme por me idenë që mund të humbasësh kontrollin mbi jetën tënde.Por ndërkohë kuptova diçka të rëndësishme se frika nuk është armiku por një mesuese e heshtur.
Kur e shoh frikën, nuk duhet ta mohoj, nuk duhet ta injoroj. Të fshehësh frikën do të thotë të mohosh pjesë të vetes dhe të pranosh frikën do të thotë ti japësh vetes mundësinë të ndërtosh guximin. Sot u përpoqa të mos largohem nga ajo që më tremb por të ndiej frikën, ta përshkruaj në fletën time të ditarit dhe ta kuptoj se cfarë më mëson kjo frikë për mua? Çfarë pjesë të shpirtit tim po e kap përpara se të mësoj ta përballoj? Frika është e padukshme, po ka fuqinë më të madhe sepse ajo të sfidon të rritesh pa e kuptuar dhe në heshtje, ndërsa shkruaj këto rreshta, ndjej se po mësoj të ec përpara, hap pas hapi, edhe kur trupi dridhet.Sepse frika nuk ka nevojë të ketë fund por ka nevojë të kuptohet, të dëgjohet dhe të shndërrohet. Deri nesër, Unë…
Ndaje
