Sot, ndërsa u ula pranë dritares dhe pashë qiellin që ndryshonte ngjyrë, kuptova diçka të bukur se ëndrrat më të mëdha shpesh lindin në heshtje. Nuk bëjnë zhurmë, nuk kërkojnë miratim, nuk presin të vlerësohen , ato thjesht rriten brenda teje, si fije delikate që shtrihen drejt dritës pa e ditur se po bëjnë rrënjë. Kam kuptuar se shumë herë mundohemi t’i bëjmë ëndrrat tona të dukshme menjëherë, t’i shpallim, t’i krahasojmë me të tjerët, t’i matim me suksesin e jashtëm por ata që lindin në heshtje janë ata që kanë forcën më të madhe.Janë ato që i ndjen vetëm ti, që i ushqen fshehtas, që i mbron nga ziliqaret dhe frikërat, janë ëndrrat që nuk lodhen kur bota të thotë “nuk mundesh”. Psikologët flasin për këtë heshtje si një hapësirë të mbushur me potencial, ku krijohet brenda teje një lloj besimi i qetë dhe i pandikuar. Ëndrrat që lindin në heshtje nuk shikojnë duartrokitjet, ato shohin vetëm dritën që ti i ofron dhe kjo është mrekullia e tyre. Mendoj për të gjitha ditët kur nuk kisha forcë të lexoj, kur mërzitesha nga ligësia e botës dhe zilia e njerëzve dhe aty, në heshtje, diçka po rritej brenda meje. Një vizion i vogël, një dëshirë e heshtur, një ëndërr që mezi priste të shfaqej kur të vinte koha. Sot, ndoshta për herë të parë, ndjeva një ngrohtësi të thellë, çdo faqe e lexuar, çdo dhimbje e përjetuar, çdo heshtje e mbajtur, ka ushqyer këtë ëndërr. Ajo nuk është akoma e dukshme për botën por për mua, ajo është e gjallë. Dhe kjo është e mjaftueshme.
Dita kur do të dalë në dritë nuk ka rëndësi. E rëndësishme është se po rritet dhe çdo hap i vogël, çdo moment i heshtur, çdo libër i hapur, çdo fjalë e shkruar, është një pjesë e saj. Në heshtje lindin ëndrrat më të forta dhe në heshtje mësojmë të durojmë, të besojmë dhe të rritemi. Unë e di se është vetëm fillimi dhe për herë të parë ndiej se nuk ka ngut. Sepse çdo gjë që lind ngadalë, pa zhurmë, ka fuqinë të zgjasë përgjithmonë.
Deri në letrën tjetër dhe në ëndrrat e tjera që do të lindin në heshtje, Unë …
Ndaje
