Letra Nr 3. Për librin që më theu dhe më rindërtoi

Ndaje

Sot dua të shkruaj për një libër që nuk përmendet në auditorë, as që njerëzit i citojnë për t’u dukur të zgjuar. Dua të shkruaj për një libër të vogël, të thjeshtë, që nuk e kërkova unë por ai më gjeti mua. E pashë të heshtur në raft dhe mendova se do të ishte një lexim i qetë dhe i zakonshëm por në vend të qetësisë, ajo që gjeta ishte një shkundje. E di që disa libra të rrezatojnë si dritë në një dhomë të errët, të japin një ndjesi që është gjysmë dhimbje, gjysmë qetësi si të rishohësh një plagë që nuk e dije se e kishe.
Në faqen e parë thashë seështë një libër ndryshe. Në faqen e dytë mendova se se po flitet për mua.
Në faqen e tretë u ndala, e mbylla për pak sekonda dhe mora frymë.
Sepse ndonjëherë mendimet e dikujt tjetër të zbulojnë një pjesë tënden që e ke fshehur prej kohësh. Nuk e dija që një libër mund të të bëjë të ndihesh i zbuluar, i zhveshur nga justifikimet, nga maskat, nga rolet. Psikologët thonë se kjo ndodh sepse në letër gjejmë gjëra që truri ynë i ka menduar në heshtje, por nuk ka pasur guxim t’i thotë me zë. Dhe kur i lexon, ti nuk po lexon autorin por veten.
Dhe unë e ndjeva këtë, e ndjeva në stomakun e shtrënguar, në sytë që më lotuan pa arsye, në duart që dridheshin lehtë.Sa e çuditshme është të të prekë një libër.Sa e çuditshme është të të prekë dikush që nuk të njeh. Ai libër më preku në një mënyrë të butë, më tregoi se nuk isha aq e fortë sa besoja dhe jo aq e dobët sa kisha frikë. Më dha ndjesinë e atij çasti kur një gotë bie dhe shpërthen në copa por pastaj kupton se mund ta ngjitësh përsëri, me duart e tua, më mirë, më të kujdesshme, më të sinqerta.E kuptova se unë vetë kisha gjëra për të rregulluar, jo në jetë,jo në mendje, jo tek të tjerët por tek vetja ime. Disa libra nuk të japin përgjigje por të japin pyetje.Dhe ato pyetje janë më të rëndësishmet. Në njërën prej faqeve, gjeta një fjali që do ta mbaj mend gjatë: “Njeriu nuk ndryshon kur e sheh të vërtetën, por kur nuk mund t’i shpëtojë më asaj.” Dhe unë nuk mund t’i shpëtoja sepse ai libër më detyroi t’i kthehem vetes me më shumë ndershmëri.Të pranoj plagë, gabime, iluzione, frikëra që i kisha hedhur poshtë. Por pastaj, në kapitujt e fundit, erdhi ajo që nuk e prisja, qetësia. Një qetësi që më ngriti ngadalë nga ajo rrëmuja e brendshme dhe më la të ulur përballë vetes, më e qetë, më e pastër, më e vërtetë. Them se ka libra që të dëmtojnë për të të shëruar.Ka libra që të prekin për të të rindërtuar. Ndaj sot dua t’i falënderoj të gjithë librat e tillë , ato që nuk t’i mbushin duart, por mendjen. Ato që nuk i lexon për të kaluar kohën, por për të kuptuar pse koha jote është pikërisht kjo. Ato që vijnë në jetën tënde jo si zbavitje por si busull. Nuk e di nëse ky libër do të jetë i fundit që më trondit kështu por di që nuk do të jetë i pari. Dhe jam mirënjohëse për të gjithë ata që do të vijnë pas tij. E nëse leximi është investim mental atëherë librat që të prekin janë kulmi i këtij investimi, në atë çarje ku hyn drita. Deri në letrën tjetër, Unë…

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit